Sot bëhen 4 muaj nga incidentet dhe dhuna e ushtruar në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa organizatorët e përgjakjes së Kuvendit vazhdojnë të jenë të lirë, njofton SHENJA.

Rasti është nën kompetencë të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila e morri përsipër rastin nga prokuroria e përgjithshme, me arsyetimin se bëhet fjalë për sulm të organizuar. Mirëpo, deri më tani nuk ka pasur asnjë akuzë apo proces gjyqësor për organizimin e dhunës së ushtruar. 9 persona nga ekzekutuesit e dhunës u dënuan me kusht, edhe atë për veprën që cilësohet si më e lehta, ‘Pjesëmarrje në turmë e cila ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës’, ndërsa dhjetëra nëpunës në Ministrinë e Punëve të Brendshme u suspenduan.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, që në ditët e para pasi mori nën udhëheqje MPB-në, tha se kjo ministri nuk do të mund të funksionojë pa zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e personave përgjegjës. Mirëpo, ndaj organizatorëve të protestave, ndaj funksionarëve të lartë të MPB-së, si dhe ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së që mundësuan hyrjen e protestuesve brenda Kuvendit, akoma nuk ka të ngritur ndonjë padi. Padi më serioze janë ngritur për sulmuesin e Radmilla Shekerinskës, atë kohë deputete, ndërsa tani Ministre e Mbrojtjes. Sulmuesi i Shekerinskës akuzohet për veprën penale ‘Dhunë’, ndërsa sulmuesit e Ziadin Selës, dyshohen për tentativë për vrasje.

Para katër muajve, më 27 prill, menjëherë pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, protestuesit që ndodheshin para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë hynë në Kuvend, ku sulmuan disa nga deputetët që ndodheshin në press qendrën e Kuvendit. Ndër ata që pësuan më keq, ishin kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev.