Informacionet në gjuhën shqipe në faqet zyrtare të ministrive nuk përditësohen. Kjo ndodh edhe me faqet e ministrive në krye të të cilave janë ministra shqiptarë dhe bie ndesh me të drejtën e informimit të barabartë edhe të qytetarëve shqiptarë. Ndër faqet e ministrive që drejtohen nga kuadrot e BDI-së e që përditësohet më shpesh është ajo e ministrisë së Drejtësisë, ndërsa më shumë ngec faqja e Ministria e Ekologjisë. Ja si paraqitet tabela e faqeve të dikastereve që drejtohen nga ministrat shqiptarë.

Ministritë e udhëhequra nga ministra shqiptarë:
Ministria e Drejtësisë – Valdet Xhaferri, e përditësuar edhe në shqip
Ministria e Vetqeverisjes Lokale – Shyret Elelzi, e përditësuar
Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Pishtar Lutfiu, e pa përditësuar
Ministria e Ekonomisë – Driton Kuçi, e pa përditësuar në shqip
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – Bashkim Ameti, asnjë kumtesë në shqip

Më së shumti mund të vërehen lëshime në lajmet mbi aktivitetin e këtyre dikasterëve, komunikatat për media, konkurset e ndryshme për punë, manuale të ndryshme informativo-edukative e kështu me radhë. Disa prej tyre publikohen me vonesë në gjuhën shqipe, ndërsa disa informacione tjera publikohen vetëm në maqedonisht dhe nuk përkthehen fare. Si rast më eklatant mund të konsiderohet Ueb faqja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë e cila nuk posedon fare opsionin e gjuhës shqipe./Alsat-M