Katër ekipe të cilat do të përfundojnë në vendin e tretë në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian, do të kualifikohen në rrethin tjetër të garave.

Për herë të parë në një kampionat Evropian do të marrin pjesë 24 skuadra, të ndara në gjashtë grupe.

Kështu, UEFA ka vendosur që përveç dy skuadrave të cilat përfundojnë të parat në secilin grup, në fazën tjetër të kualifikohen edhe katër nga pozita e tretë.

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian i ka publikuar edhe rregullat të cilat vlejnë për kualifikimin nga vendi i tretë.

Kriteri i parë është se në fazën tjetër nga vendi i tretë kalojnë përfaqësueset me më së shumti pikë, por nëse ka pikë të barabarta, vendos diferenca e golave, e nëse edhe këto janë të barabarta, përparësi ka përfaqësuesja që ka shënuar më shumë gola.

Por nëse edhe këtu nuk zgjidhet kush duhet të kalojë tutje, e që ka mundësi shumë të ndodh pasi që do të zhvillohen vetëm tre ndeshje në fazën e grupeve, UEFA do të marrë parasysh skuadrat më fair play, që janë ndëshkuar më pak me kartonë, dhe për fund, nëse edhe këtu diçka del e barabarta, atëherë përparësi do të ketë përfaqësuesja që renditet më lartë në ranglistën e UEFA-s.