Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i ka dorëzuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) 20 ventilatorë të cilët do të ndihmojnë në trajtimin e të infektuarve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sipas një njoftimi për media të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se këta ventilatorë janë blerë me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut.

Këta ventilatorë pritet që të ngrisin kapacitetin e kujdesit intensiv të sektorit shëndetësor të Kosovës.

“Kontributi i përgjithshëm nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për blerjen e ventilatorëve mobil Vg70 është 1,17 milion dollar, në partneritet me UNDP-në. Falë kësaj mbështetjeje UNDP ka blerë 40 ventilatorë, 20 prej të cilëve u dorëzuan sot ndërsa pjesa tjetër do të dorëzohet deri në fund të muajit qershor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.