UNIVERSITETET

Shkruan Xhelal Neziri 

 

Nuk na nevojiten universitete të “mëhallave partiake”, por institucione të mirëfillta arsimore që do të prodhojnë kuadro të gatshme për tregun europian apo global.

P.S.: Këto citate më poshtë janë nga një intervistë e pabotuar, që kam realizuar me themeluesin e USHT-së, Fadil Sulejmanin, disa muaj para se të ndërrojë jetë.

“Edhe këto që erdhën nga malet filluan me komplote kundër meje. Filluan t’i organizojnë studentët kundër meje, profesorët, dekanët. Të gjithë ma kthyen shpinën me qëllim që ta zhdukin UT-në. Bile, i kishin njoftuar profesorët nga Kosova dhe Shqipëria që të mos vijnë më në Tetovë sepse UT-ja nuk ekziston dhe se ka mbetur vetëm UEJL-ja. Çfarë ishte më e çuditshmja se tërë këtë aksion për varrosjen e UT-së e kishte ndërmarrë Fazli Veliu. Ai i takonte studentët dhe u thoshte se janë revolucionarë të rinj, duhet ta shuani universitetin e Fadilit, por qetë dhe pa trazira të zhduket ky universitet. Kur e kuptova se çfarë komploti më bën Fazli Veliu, shkova dhe e takova në selinë e BDI-së dhe e pyeta pse dëshiron ta shuaj UT-në.”

“Lindja e UT-së në Maqedoni më ka shkaktuar shumë vuajtje dhe sakrificë, andaj e konsideroj si fëmijën tim. Kur ma ndaluan të futem në UT, prisja jashtë që të hapet dera vetëm ta shoh emblemën e UT-së. Te BDI-ja nuk munda të ndikoj as si deputet. Sa u zgjodha deputet, ministri atëhershëm Aziz Pollozhani, më ftoi në një konferencë për arsimin në Tetovë. I thash se ti Aziz je njeriu që e ka shkatëruar arsimin shqip në Maqedoni. Ai e mbylli UT-në me gjoja legalizimin, e partizoi. Ai edhe sot, me partizimin e skajshëm, me largimin e kuadrove të mirëfillta, mundohet ta shuajë.”

“Është krijuar një traditë e keqe në universitet, pasi është partizuar tërësisht. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë më universitet në gjuhën shqipe. Sulmet ndaj UT-së bëhen nga dora e zgjatur e pushtetit, i cili nuk do që ky universitet të zhvillohet normalisht, të dalin kuadro të afta. Aty futen njerëz partiak, të paaftë, derisa largohen profesionistët. Skenari për varrosjen e universitetit jo që ekziston, por tash është kah fundi i realizimit. Aty nuk ka më dije por politikë. Për fat të keq, këto diploma që janë marrë dhe do merren gjatë kësaj periudhe nuk do të jenë të pranuara ndërkombëtarisht. Karta e Bolonjës nuk njeh universitete partiake por vetëm arsimore dhe shkencore.”

xhelal neziri