Një muaj na ndan nga fillimi i vitit të ri akademik, por studentët nuk e kanë të qartë mënyrën se si do të zhvillohet mësimi. Ata nuk e mbështesin skenarin e mësimit online, pasi thonë se nuk ka rezultuar i suksesshëm për ta në muajt e karantinës gjatë vitit të shkuar akademik.

“Nuk e kam si informacion në fakt, por mendoj se do bëhet një pjesë në fakultet një pjesë online. Mësimi online është pak i vështirë në fakt, sidomos ne që studiojmë në një degë që kërkon shumë praktikë dhe prezencën në auditorë , kështu që do ishte më mirë që praktikën ta bënim në laboratorë.”

Rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës Arben Gjata, sqaroi se mësimi online nuk do të përjashtohet nga procesi. Për lëndët teorike do të krijohet një platformë për formimin e auditorëve virtuale, ndërsa praktikat në fakultete dhe spitale do të bëhen me grupe të vogla studentësh.

“Të kombinojmë dy metoda mësimdhënie, të vazhdojmë mësimin online kryesisht për leksionet, (nëpërmjet një platforme që do krijojmë javën e ardhshme).
Një pjesë e praktikave në formë bashkëbisedimi të bëhen online. Në universitet dhe në spitale të vazhdojë praktika në një formë tjetër, studentët të ndahen në grupe më të vogla dhe të bëjë një javë njëri grup dhe javën tjetër grupi i dytë.”

Praktikat nëpër spitale për studentët duhet të kenë më shumë orë të dedikuara, sipas Gjatës.

“Studentët kanë mësuar shumë mirë teorikisht, dhe dinë shumë mirë teorikisht, ndërsa shprehitë praktike nuk janë në nivelin që dëshirohet. Nga vjet filluam futjen e mbikëqyrësve klinikë, që studentët të mos jenë vetëm me një pedagog. Të merren me punën praktike që bën një mjek duke e ndjekur në punën e tij në spital në kujdesin ndaj të sëmurit në të gjitha proceset.”

Universiteti i Tiranës nxjerr rreth 250 mjekë në vit, por ky numër sipas rektorit Gjata, nuk është i mjaftueshëm për përballimin e nevojave të vendit.