Pavarësisht premtimeve të shumta për ndërtimin e objektit për universitetin “Nënë Tereza” në Shkup , në terren nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Në vendin e paraparë për ngritjen e godinës së këtij institucioni të lartë arsimor që ndodhet afër kazermës “Ilinden”, askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Gjatë inspektimit, Alsat regjistroi vetëm rrethojat që u vendosën në momentin që u premtua ndërtimi i objektit.

“Këto janë hapësirat ku duhet të ndërtohet objekti I Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup. Siç mund ta vëreni ende nuk është lëvizur as edhe një gurrë në drejtim të ndërtimit të tij”.

Në mungesë të objektit, studentët e regjistruar në këtë Universitet studimet i ndjekin në hapësirat e Universitetit të Evropës Jug-Lindore. Gjatë promovimit të këtij UNT-së në dhjetor të viti të kaluar, ish ministri i arsimit Abdilaqim Ademi tha se ky Universitet do të fillojë me punë ne shtator në objektin e ri, por një gjë e tillë nuk u realizua. Ndërkohë javë më parë për ndërtimin e objektit foli edhe ministri aktual i arsimit Pishtar Lutfiu, i cili premtoi se ndërtimi i objektit do të fillojë më 2017 dhe do të zgjasë të paktën dy vjet. Përveç kësaj Universiteti Nënë Tereza ballafaqohet edhe me mungesë fondesh, pasi buxheti që është paraparë për këtë instition për vitin 2016 është vetëm 10 milion denarë, shumë që sipas disa ekspertëve nuk mjafton as për të mbuluar pagat e stafit akademik, raporton Alsat-M.