Universitet i Evropës juglindore, mund të shkrihet në Universitetin “Nënë Tereza”! Nga UEJL thonë se nuk ka një vendim të tillë nga bordi i universitetit, megjithatë nëse një ide e tillë do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë së arsimit, do të ishte e pranueshme.

“Përgjigjja do të duhet të del nga organet. Ne kemi një organ që udhëheqë me UEJL-në dhe organi kryesor ose bartës është bordi ndërkombëtar i universitetit. Për diçka më tepër ose më të madhe që do të shkonte në favor të këtij optimizmi mbetet të shihet në kohën e ardhshme. Gjithçka nga këto opsione janë të hapura”, deklaroi Demush Bajrami, Këshilltar i rektorit.

Nga Ministria e Arsimit nuk pranuan të komentojnë zërat e shkrirjes së UEJL-së, megjithatë hapja e konkursit për student të rinj në Universitetin “Nënë Tereza” dhe mungesa e hapësirave ku do të funksionojë ai, jep indikacione se shkrirja e dy institucioneve në një, nuk përjashtohet. Ministri i arsimit Pishtar Lutfiu, tha se për këtë çështje do të prononcohet nesër. Ndërkohë bazuar tek ideja e optimizmit edhe BDI-ja thotë se nuk ka asgjë kundër, përkundrazi një gjë e tillë do të ishte në funksion të rritjes së cilësisë në arsim, por duke mos theksuar se kush flet për momentin në emër të UNT-së.

“Nëse rikonstruimi dhe optimalizimi do të ishin në funksion të cilësisë në arsim dhe do ishte kërkesë e institucioneve arsimore, ne do ta shqyrtonim seriozisht dhe do të vendosnim bashkërisht me Universitetet dhe grupet e interesit”, thanë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, universiteti “Nënë Tereza” u shfaqet me adresë tjetër nga ajo që ishte paraparë. Tani sipas ueb faqes së këtij universiteti, adresa është Arhiepiskop Angelarij, nr.1, 1000 Shkup, adresë kjo e njëjtë me atë të Universitetit të Evropës juglindore. Sipas informacioneve të Alsat, ideja e vendosjes së kësaj adrese është bërë me qëllim, pasi UEJL-ja ka lëshuar hapësirat administrative për UNT-në derisa të mbarojë procesi i regjistrimit të studentëve.