Pothuajse gjysma e stafit akademik të Universitetit “Nënë Tereza” do të jetë prej ish funksionarësh ose nëpunësish politikë. Alsat M mëson jo zyrtarisht se Aziz Pollozhani, emrin e të cilit e publikuam edhe muaj më parë, do të jetë në funksionin e ushtruesit të detyrës së rektorit. Në listën e stafit akademik, gjithashtu gjenden dhe ish kreu i Komunës së Studeniçanit, Fati Iseni, përgjegjësi për arsimin e lartë në Ministrinë e Arsimit, Agim Rushit, ish zv/ministri i mbrojtjes dhe ish ministër i vetëqeverisjes lokale Rizvan Sulejmani, si dhe zëdhënësja e Komunës së Çairit, Kaltrina Zekolli, etj.

Stafi akademik:

Fati Iseni – Histori, ish kryetar i Komunës së Studeniçanit
Agim Rushiti – Matematikë, përgjegjës për arsimin e lartë në MASH
Rizvan Sulejmani – Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, ish zv/ministër i mbrojtjes dhe ish ministër i vetëqeverisjes lokale
Kaltrina Zekolli – Zëdhënëse e komunës së Çairit
Bekim Fetai – Informatikë, profesor në UEJL
Zana Aliu – Teknologji ushqimore
Agron Kurtishi – Komunikim, profesor në UEJL
Bistra Netkova – Juridik, profesore në UEJL

Në vitin 2012, Pollozhani u përfol edhe si kandidat i mundshëm për rektor të USHT-së por emri i tij u hodh poshtë për shkak se ai nuk përmbushte kriterin si profesor ordinar.

I kontaktuar nga Alsat, Pollozhani nuk e konfirmoi por as nuk e hodhi poshtë këtë informacion. Ai sqaroi se aktualisht, komisionet amë janë në fazën e konsolidimit në përputhje me ligjin, për organe të përkohshme, por akoma nuk është e konkretizuar asgjë. Sa i takon thirrjes, Pollozhani e vlerësoi si çështje dinamike, por që në këtë fazë të konsolidimit, sipas tij, nuk ka aspak rëndësi.

Ligjit për arsim të lartë precizon se rektori zgjidhet nga radhët e profesorëve ordinarë por lë hapësirë nga ana tjetër se emërimi i rektorit bazohet te statuti vetanak i universitetit. Deri në përzgjedhjen e rektorit, ushtrues i detyrës së Rektorit është njëri nga prorektorët e Universitetit i cili zgjidhet nga senati me shumicë votash. Ai i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e Rektorit.

Ligji për arsim të lartë
• Rektori zgjidhet nga radhët e profesorëve ordinar.
• Ushtruesi i detyrës së rektorit i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e rektorit.

Vetë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kohë më parë garantoi publikisht që në universitetin e ri nuk do të ketë asnjë funksionar ose ish funksionar të BDI-së.

“Sigurisht që këtë garanci e keni. Unë jo vetëm që ju siguroi, por edhe mund të bisedoni, mund të angazhoni njerëz. Unë kurrën e kurrës nuk jam përfshirë në politikat arsimore në universitetet as të Tetovës por as në universitetin që themelohet”, pati deklaruar Ahemeti.

Nga ministria kanë përsëritur disa herë se nuk mbajnë përgjegjësi për përzgjedhjen e pjesës më të madhe të stafit me të kaluar politike. Duke iu referuar autonomisë së universitetit, nga ministria janë arsyetuar se kjo është përgjegjësi e vetë komisioneve amë./Alsat-m