Brukseli: Nisni zbatimin e reformës. Është për shqiptarët, jo për BE-në

Zbatimi i refomës në drejtësi ishte në qendër të bisedimeve të takimit të tetë të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini vlerësoi miratimin unanim në korrik të ndryshimeve kushtetuese, si dhe miratimin e fundit të ligjit për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por si ajo, ashtu dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, theksuan se tashmë gjithçka është në duart e politikanëve shqiptarë.

“Ne besojmë se tani partitë politike kanë përgjegjësinë për të përshpejtuar implementimin e reformës në drejtësi, të cilën ata vetë e votuan në mënyrë unanime në Parlament, duke miratuar ligjet shoqëruese dhe duke nisur procesin e vetting-ut. Ne jemi të gatshëm të mbështesim Shqipërinë në zbatimin e tyre”, deklaroi Mogherini.

“Duhet të kuptohet që reforma në drejtësi dhe miratimi i ligjeve e ndryshimeve kushtetuese është hapi i parë, por tani bëhet fjalë për zbatimin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Shpresoj që shpirti i vendimit të korrikut, kur të gjithë anëtarët e Parlamentit votuan në favor të reformës, të vijojë edhe kur bëhet fjalë për zbatimin e saj”, tha nga ana tjetër Hahn.

Ndërsa kryeministri Rama e nisi në shqip fjalën e tij, por për shkak të një problemi teknik u detyrua ta vijonte në anglisht, ngjarje të cilën nuk e kaloi pa një batutë.

“Po e kthej në anglisht. Mendova se do ishte më mirë në shqip, por ju nuk jeni të përgatitur të na pranoni shpejt në familjen tuaj, kjo është e qartë. Por të paktën, rekomandimi do të jetë i afërt”, u shpreh Rama.

Për kryeministrin shqiptar, kjo reformë është një mesazh i qartë që i jepet Komisionit Europian. “Nëse zbatimi i reformave kryesore dhe mbi të gjitha i reformës në drejtësi përbëjnë bazën solide për çeljen e negociatave, reforma që ka kaluar është baza solide për të marrë rekomandimin”, deklaroi Rama.

Duke u ndalur tek ndikimi që miratimi i kësaj reforme do të ketë në rrugën integruese të Shqipërisë, komisioneri Hahn u shpreh se është ende herët për të dhënë një koment.

“Ne mbajtëm shënim vendimin e marrë, i cili do të reflektohet në Progres Raportin tonë dhe mendoj se kemi qenë shumë të qartë lidhur me mënyrën se si e kuptojmë dhe si e lexojmë në këtë vendim, por është shumë herët për të dhënë deklarata lidhur me këtë gjë”, tha Hahn.

Nga ana e tij, kreu i qeverisë nënvizoi dhe njëherë rëndësinë që ka për Shqipërinë marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave.

“Rekomandimi nuk është stacioni i fundit, është thjesht një sinjal shumë i fortë që i jepet vendit që të vijojë rrugën dhe punën për në stacionin e fundit”, tha Rama.

Por në fund, ishte sërish komisioneri Hahn ai që duke marrë si shembull zbatimin e reformës në drejtësi bëri dhe një deklaratë të fortë.

“Ne kemi parë disa gjyqe dhe disa vendime, por më lejoni të them se më së shumti bëhej fjalë për peshq të vegjël ose të mesëm. Por unë pres të jenë dhe peshq të mëdhenj”, deklaroi Hahn./TCH