Departamenti i arsimit pranë Aleancës për Shqiptarët në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor 2018/2019, në konferencën për media, bëri me dije opinionin se ministri i arsimit ka nënshkruar kontratë në katër sy për furnizime publike (blerje të librave për arsim fillor dhe të mesëm) me vlerë prej pesë milion eurove me dy firma, ku njëra prej tyre me seli në Tetovë, si një ndër donatorët kryesor të partisë politike në pushtet, BDI-së.

Pasojat nga kjo kontratë i pësuan shkollat shqipe dhe nxënësit shqiptar të cilët u furnizuan me libra të cilëve iu ndërruan vetëm numrat e faqeve, ndërsa nga përmbajtja ishin të njëjtë. Kjo gjë vetëm krijoi huti tek mësimdhënësit. Pavarësisht kësaj, ende kemi shkolla në komunat shqiptare ku nxënësit nuk janë të furnizuara me këto libra (Ftojmë gazetarët investigativ që t’i vizitojnë shkollat shqipe në komunat shqiptare, për ta vërtetuar këtë fakt).

Që ironia të jetë më e madhe, ministri për të kundërshtuar faktet tona, deklaroi se kjo kontratë për furnizime publike është kryer për shkak të korrigjimit të 22 librave dhe mospasjes së kohës deri në fillim të vitit shkollor që nxënësit me kohë të furnizohen me libra. Për mbrojtje referohej se edhe ministrat paraardhës të arsimit kanë nënshkruar kontrata të këtilla në katër sy.
Sot pyesim ministrin se pse në planin vjetor për furnizime publike për vitin 2019, me protokoll numër 10-1428 të datës 31/1/2019, për muajin maj-korrik janë planifikuar procedurë për bisedime me kontaktues në katër sy për furnizime publike – blerja e librave pa publikim të konkursit edhe atë libra për shkollat fillore me vlerë prej 586.197.000 denarë dhe shkollat e mesme me vlerë prej 92.262.000 denarë ose afërsisht për gjithë ciklin 11.000.000 euro.

Vlen të përmendet se bëhet fjalë për dy furnizime që përbëjnë gati gjysmën e buxhetit të planifikuar të MASH-it për vitin 2019. Pyesim se si është e mundur që gati gjysma e buxhetit të harxhohet me kontrata në katër sy. Si pasojë, këtë vit do të kemi më pak mjete për modernizim të arsimit, përgatitje të laboratorëve, ndërtim të godinave etj.
Duke pasur parasysh se këto ditë presim formimin e komisionit anti-korrupsion, apelojmë që ky institucion si punë e parë në përbërje të re ti shqyrtojë këto të dhëna dhe të merren masa për të ndaluar këto fenomene të nënshkrimit të kontratave skandaloze në katër sy me firma të njëjta, me histori të dyshimtë dhe lidhje klanore partiake. Ministritë nuk janë pronë private të askujt, e as të ministrave. Ligji duhet zbatuar nga të gjithë dhe për të gjithë. Nuk guxon në asnjë mënyrë që puna e ministrit të bazohet në punën e paraardhësve të tij në stilin “siç kanë bërë ata me ligjin për furnizime publike ashtu do të bëj edhe unë”. Si pasojë, në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që një muaj para fillimit të vitit shkollor, shkollat të ngelin para aktit të kryer gjoja se nuk ka kohë për hapje të tenderit dhe ministria detyrohet të nënshkruajë kontrata në katër sy. Ftojmë që kjo praktikë e dyshimtë të ndërpritet pasi që pasojat ndjejnë si gjithmonë nxënësit.