Numri i zyrtarëve dhe punëtorëve të institucioneve publike me pozita të larta në Maqedoni të Veriut të cilët po e shkelin ligjin me mos deklarimin e pasurisë është i madh, e në mesin e tyre është e Rektori i Universitetit Nënë Tereza (UNT) Aziz Pollozhani, thanë zyrtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për Zhurnal.mk.
Të tillët sipas ligjit parashihet që të ndëshkohen me gjoba financiare për shkak se nuk e kanë plotësuar dhe dërguar në këtë komision formularin e deklarimit të pasurisë së tyre, kanë sqaruar zyrtarët e këtij komisioni, e në mesin e tyre është edhe rektori në fjalë.
“Aziz Pollozhani rektor i UNT nuk e ka paraqitur pasurinë e tij në Komisionin për Anti-korrupsion,” tha për Zhurnal.mk Rozeta Trajan, Sekretare e Përgjithshëm në Komisionin për Anti-korrupsion.
Pollozhani është emëruar në postin e rektorit në UNT në Prill të vitit 2018, deri kur ai ishte si ushtrues-detyre.
Mirëpo sipas Rozeta Trajan, që të gjithë, përfshirë edhe Pollozhani, të cilët e kanë shkelur ligjin e vitit të kaluar pritet që të përballen me gjoba të ligjit të ri të vitit 2019 të cilat janë më të ulëta sesa që parashihte ligji i mëparshëm në fuqi deri në fund të vitit 2018.
“…Dhe sipas nenit 109 të ligjit me numër 12 të gazetës zyrtare të Maqedonisë të vitit 2019, personi i cili në afat prej 30 ditësh që nga emërimi i tij nuk paraqet pasurinë, parashihet dënim me gjobë prej 300 deri në 500 euro,” tha zonja Trajan për Zhurnal.mk.
E ligji i mëparshëm, pra ai në fuqi edhe në vitin 2018, parashihte gjoba prej 2000 deri në 6000 Euro.
Trajan tha se Komisioni Shtetëror për Anti-Korrupsion pritet që “së shpejti të iniciojë procedurat” e ndëshkimit financiar për të gjithë ata zyrtarë dhe të punësuar të institucioneve publike të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë siç parasheh ligji.
Mbetet e paqartë pse personat të cilët e kanë thyer ligjin për deklarim të pasurisë deri në vitin e kaluar do të ndëshkohen me gjobat e parapara sipas ligjit të ri (pra 2019) e jo sipas gjobave të ligjit i cili ishte në fuqi në kohën kur edhe është shkelur ai nga të njëjtit.