Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, kanë dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani nga deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj në seancën e mbrëmshme të Kuvendit. Në Tuiter Ambasada amerikane shkruan se Kuvendi i Kosovës po humb kohë me sulme personale.

KUVENDI KA HUMBUR KOHË DUKE U SHPËRQENDRUAR NË SULME PERSONALE DHE RETORIKA POLITIKE, NDËRKAQ NUK KA ARRITUR TË MARRË PËRGJEGJËSINË PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN EKONOMIKE DHE SHËNDETËSORE NË VEND – THONË NGA AMBASADA E SHBA-SË PRISHTINË.

Nga ana tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas.

KUVENDI I KOSOVËS DUHET TË BËJË PUNË KONSTRUKTIVE QË TË BALLAFAQOHET ME SFIDAT QË KA PËRPARA. TË GJITHË DUHET TË PËRKUSHTOHEN PËR KONSENSUS POLITIK DHE TË PËRMBAHEN NGA DHUNA QË NUK KA VEND NË SHOQËRITË DEMOKRATIKE, E SIDOMOS NË KUVEND DHE NDAJ GRUAS – KRYEPARLAMENTARES – U SHPREH NATALIA APOSTOLOVA, SHEFE E ZYRËS SË BE-SË NË KOSOVË.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në Facebook, se rastin e kërcënimit nga deputeti Ukaj e ka denoncuar edhe në polici. Në seancën e Kuvendit të Kosovës mbrëmë diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës. Por kjo seancë u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.