VMRO-DPMNE përkujton se shteti ka detyrimin të organizojë procesin e kujdesit për më të vegjlit.

Opozita ka vërejtje për mënyrën se si qeveria vendosi t’i hapë kopshtet dhe çerdhet për fëmijë dhe u rekomandon të dalin me vendime të qarta për punën e tyre në kohë pandemie. Kërkojnë sqarime se në bazë të cilave kritere do të selektohen fëmijët që do kenë mundësi të ndjekin arsimin parashkollor, kur qeveria vetë deklaron se kopshtet do të pranojnë vetëm një të tretën e numrit aktual. Kërkojnë të mendohet edhe për rreth 30 kopshte private që janë në prag të falimentimit e nuk janë përfshirë në konkluzionet e qeverisë.

“Na vjen keq që periudhën prej 6 muajsh, qeveria LSDM- BDI nuk e shfrytëzoi për të përmirësuar kushtet dhe kapacitetet e kopshteve për t’u kujdesur për më të vegjlit dhe nuk i adaptuan ato për të punuar në kushte pandemie, as në aspektin hapësinor dhe as sa i përket burimeve njerëzore. Sipas konkluzioneve të fundit nga Qeveria, vetëm një e treta e fëmijëve parashkollorë mund të kujdesen në kopshte. Mbi cilat kritere do të zgjidhen fëmijët që do të pranohen? Qeveria qendrore, në vend që të transferojë përgjegjësinë tek vetëqeverisja lokale, duhet të marrë masa urgjente për të siguruar pajisje hapësinore me kushte të përshtatshme për situatën aktuale… Qeveria duhet të ndajë fonde për të subvencionuar kujdesin për fëmijët parashkollorë në shtëpi nga persona me trajnim, arsimim dhe licencë të përshtatshme, në mënyrë që më shumë familje të mund të punësojnë kujdestarë për fëmijët e tyre. Kjo do të ketë efekt të dyfishtë. Prindërit nuk do të mungojnë në punë, kështu edhe ekonomia nuk do të vuajë, por nga ana tjetër ata do të punësojnë njerëz për kujdes në shtëpi.”,- deklaroi Bllagica Lasovska nga VMRO-DPMNE.