Urime fillimi i vitit të ri shkollor

01.09.2016 – Urime të përzemërta për fillimin e vitit shkollor 2016/2017 për të gjith fëmijët, sidomos për ata që për herë të parë do të marrin rrugën e shkronjave. Uroj që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të njohin vetëm përkushtimin dhe sukseset në rrugën e shkollimit të tyre që është e mbushur me kurreshtje dhe sprova të reja. Uroj që mësimdhënësit me zellin, disiplinën, vullnetin dhe seriozitetin e tyre të jenë mbrojtësit më të devotshëm të vlerave arsimore dhe shoqërore, që do ti aftësojnë dhe përgatisin brezat e rinjë për të dhënë kontributin e duhur në zhvillimin e kombit tonë.

Pavarsisht faktit se kjo është një ditë urimi dhe festimi për fillestarët dhe mësuesit, sërrisht duhet të themi të vërtetën e problemeve dhe peripecive që ballafaqohet arsimi shqip në këtë vend. Regjistrimet e fëmijëve, qoftë ata në shkollat fillore apo të mesme nuk japin ndonjë shpresë premtuese për kombin shqiptarë në përgjithësi për shkak të rrënjes drastike të numrit të fëmijëve shqiptarë që regjistrohen nëpër shkolla. Nëse kësaj ia shtojmë edhe infrastrukturën shkollore dhe logjistike gjithnjë në shkatërrim e sipër, mungesën e teksteve shkollore, teksteve me përmbajtje fyese për shqipëtarët që e nxisin jotelerancën, urrejtjen dhe diskriminimin, atëherë nuk na ngelet gjë tjetër përpos të shpresojmë se do të merren masa të duhura që të evitohen të gjitha këto, edhe pse fillimi nuk na jep ndonjë shpresë për përmirësim në këtë drejtim.

Të gjithë mësimdhënësit e kanë për obligim moral dhe profesional që të reagojnë në kohë për evitimin e pengesave artificiale dhe teknike që i ka plasuar politika ditore, me qëllim që ti kthejmë dhe zhvillojmë vlerat e vërteta të arsimit që janë krijuar ndër vite. Uroj që ky vit të sjellë suksese në punën dhe përpjekjet e përbashkëta të të gjith shoqërisë në rrugën e dijes dhe të formimit të së ardhmes sonë.

Suksese në këtë vit të ri shkollor!

Vesel Memedi,
Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare