Ndryshimi i forcave politike ka ndërlikuar vendimmarrjen përbrenda Kuvendit Komunal të Shtimes, që kur Lëvizjes Vetëvendosje, që është në pushtet në këtë komunë, i janë larguar dy asamblistë, që kanë kaluar si kuvendarë të pavarur.

Partia Demokratike, në opozitë, e përbën shumicën në legjislaturës aktuale, bashkë me një kuvendar nga Lëvizja për Bashkim. Kjo i ka thelluar përplasjet midis pushtetit dhe opozitës, që kanë çuar në mosvotimin e disa projekteve të pushtetit e edhe në dështimin e seancave shkaku i mungesës së kuorumit.

E kritika rreth situatës kanë adresuar monitorues të punës së Kuvendit komunal dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Nuk është e rrugës që të bllokohet kuvendi nga të dyja palët, nga opozita dhe pozita. Andaj, pozita duhet që t’i kuptojë kërkesat dhe nevojat, apo adresimin e çështjeve që i ngrit opozita. Të gjejnë një zgjidhje dhe të dyja palët të reflektojnë në tejkalimin e këtij problemi apo ngërçi në bllokimin e punës së kuvendit komunal”, tha Bekim Krasniqi nga OJQ-ja “Yahir”.

Por Rrahman Jakupi, kuvendar nga PDK-ja, insiston se përfaqësuesit e subjektit të tij po e luajnë rolin e opozitës në mënyrë demokratike.

“Formë të opozitbërjes e kemi edhe nëpërmjet shfaqjes së pakënaqësive në forma të ndryshme dhe kjo ndodh që në raste të caktuara ne e zgjedhim edhe largimin nga kuvendi, por kjo nuk ndodh shpesh. Ka raste kur subjekti në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ngulfat propozimet e opozitës dhe për këtë rast ne protestojmë në forma të ndryshme”, tha Jakupi.

E Rexhep Gashi nga Lëvizja për Bashkim, thotë se vendimin për t’iu bashkuar opozitës së udhëhequr nga PDK-ja e ka marrë me qëllim të zhbllokimit të punimeve të Kuvendit.

“Ne e dimë se mbi të gjitha, në Komitetin për Politikë e Financa, duhet të përfshihen të gjitha etnitetet politike. Ndërkaq unë u tërhoqa për arsyeje të interesa të qytetarëve që të zhbllokohet Kuvendi”, tha Gashi.

Përkitazi me ngërçin e krijuar, kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, nuk u është përgjigjur pyetjeve të adresuara nga KOHA.