Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e 17 vjetorit të Masakrës së Reçakut. 17 vite më parë, në Reçak u masakruan 45 civilë shqiptarë, si dhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po i mbronin trupat e atyre civilëve.

Ata u vranë, vetëm pse ishin shqiptarë, e kriminelët e kësaj masakre vazhdojnë të enden të lirë nëpër Serbi e nëpër Evropë. Ndërsa pushtetarët e qeveritarët e Kosovës sot, 17 vite më vonë, nënshkruajnë marrëveshje kriminale me po të njëjtët njerëz që në atë kohë kanë qenë pjesëtarë të qeverisë së Millosheviçit. Këta pushtetarë kur bëjnë homazhe flasin për nderin e të rënëve, por në institucionet e Kosovës së pavarur, në Kuvend e në Qeveri, bëjnë çmos për të normalizuar botërisht Serbinë e cila ende nuk i ka njohur krimet e veta dhe nuk ka kërkuar falje për to.

Reçaku është një nga dëshmitë kryesore të sakrificës së popullit tonë, për liri, pavarësi e bashkim kombëtar. Drejtësia për martirët e për familjet e tyre plotësohet në mbërritjen tërësore të sovranitetit, njësoj siç e kanë vendet e tjera, e jo në përuljen poshtëruese që pushtetarët e Kosovës po ia bëjnë vendit tonë duke nënshkruar për rikthimin e Serbisë në Kosovë.

E kaluara jonë e lavdishme duhet të jetë udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen tonë, në mbrojtje të vendit tonë. Në këtë drejtim, shteti dhe populli i Kosovës, duhet të angazhohen vazhdimisht për jetësimin e idealit të të rënëve, pa të cilët nuk do ta kishim as këtë liri, e as këtë pavarësi, që edhe më tutje mbesin jo të plota.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve!

15 janar 2016

vv1