Nga Emin Azemi

Reformat e një partie gjithmonë kalojnë nëpër sikletet e brendshme dhe keqkuptimet e jashtme dhe asnjë reformë nuk i ka bërë të lumtur të gjithë. Gjithmonë në fund do të del dikush dhe do të bëj vërejtje, me dhe pa të drjetë, kurse kjo që ndodhi tani më tepër i ngjan një ‘’lindjeje të vështirë’’ për të sjellë në jetë një fëmi të shëndetshëm.

Ndërmarrja e guximshme e Ali Ahmetit për të zëvendësuar ministrat e vjetër me të ri, përbën një nga parakushtet e domosdoshme që kjo parti të kalojë nga letargjia në kursin e reformave. Të gjithë po pajtohemi se këto ndryshime ka qenë dashur të bëhen më heret, atëherë kur kishte rrrethana e motive të tjera, por në anën tjetër një parti politike në pushtet e ka vështirë të ndërmerr hapa radikal për shkak të specifikës së funksionimit të saj brenda disa rregullave që jo gjithmonë ajo i dikton dhe një mori faktorësh që e determonojnë të qenit e saj në dioptrinë kritike të opinionit publik dhe pakënaqësive të brendshme.
Afera e fundit me përgjimet telefonike mund të jetë preteksti, por jo edhe motivi kryesor që ka detyruar Ahmetin të bëj një hap kaq radikal. Atij, mbase, iu ka dashur një mbulesë formale për të inicuar këto ndryshime, por në thelb qëndron një kauzë e drejtë e tij për dalë mbi sipërfaqen e antagonizmave të brendshme dhe animoziteteve publike të jashtme.

Çka e përbën këtë kauzë kaq të veçant për momentin?

Së pari, ai vendosi në ekzekutiv fytyra krejtësisht të reja, pa kurfarë biografie komprometuese që do të mund të jenë objekt shantazhesh në të ardhmen;

Së dyti, lidershipi i BDI arriti të zhvendos vëmendjen e opinionit publik nga afera e përgjimeve në një çështje krejt tjetër që lidhet me moshën dhe papërvojën e ministrave të rinj;

E treta, ky kurs reformash që ka filluar me vendosjen e këtyre çunave të rinj në ekzekutiv, mund të jetë një test-provë për të thelluar reformat e mëtejme edhe brenda partisë.

A ja doli Ali Ahmeti të shpëtojë partinë e tij nga një kolaps moral e politik, mu në kohën kur kjo më së paku i duhej asaj? Përgjigjen më kuptimplotë  për këtë do ta japin zgjedhjet e pritshme, ndërkohë që në terren ngelën të pakënaqur 2 kategori njerëzish: një tufë karrieristësh brenda partisë të cilët kanë menduar se tani është momenti t’i plotësojnë ambicjet e tyre për pushtet dhe një lagje e tërë njerëzish  mendimtarë e jomendimatë, me tru e pa tru, nga jashtë e prej anash, të cilët pretenduan se duke inskenuar afera përgjimesh mund të shkatërrojnë një parti politike.

 

Partia e zotit Ahmeti nuk është pa resurse njerëzish që dijnë të menaxhojnë, por nuk është e kursyer edhe prej atyre që papunën e tyre mundohen ta shesin si rebelizëm. Perceptimi i jashtëm shkon në favor të tezës se atje, në parti, po vlon brenda dhe një ditë pritet të shpërthejë, ndërkohë që ndodhi diçka që pak kush e ka pritur. Tani nuk e kemi të qartë nëse më të pakënaqur ngelën ata që pritën shkatërrimin e kësaj partie, apo ata të cilët projektuan karriera personale mbi kurrizin e përthyer të partisë së tyre. Por, në fund sërish do të ballafaqohemi me pytejen: çka më tutje?

Fillimisht, do të duhej të konstatojmë se BDI ka barrë më të madhe në këtë proces të rëndësishëm politik, ku antagonizmat brendamaqedonase prodhuan situata të paparashikuara, në të cilat ne si shqiptarë u ndodhëm të papërgatitur. Një bashkëpunim më përmbajtësor brendashqiptar, edhe me një përfshirje më të gjerë njerëzish jodomosdoshmërisht të lidhur për parti politike, duke lënë anash mëritë dhe hatërmbejtjet momentale, do ta bënte shumëdimensionale betejën politike të BDI, pa të cilën ajo do ta ketë vështirë të rikthej imazhin dhe besimin që e kishte dikur.
Tash më të gjithë e dijmë se të tërë energjitë parazgjedhore të partive opozitare shqiptare janë të koncentruara në përmbysjen e skemave të tanishme politike, ku bën pjesë edhe BDI, por në anën tjetër kemi shumë arsye të besojmë se këto energji mund të shkojnë edhe huq nëse opozitarizmi shqiptar nuk i tejkalon kapriciozitetet që vërehen sa herë që duam ta harrojmë fjalën bajraktarizëm.
Kur jemi te opozita shqiptare, kemi një situatë pak a shumë paradoksale që nuk korrespondon me misionin që ka ajo. Në radhë të parë, subjektet jashtparlamentare opozitare shqiptare kanë një moskomunikim total me një subjekt tjetër opozitar parlamentar, ku kjo e fundit herë aktron liderizëm opozitar, herë bëhet hije e pushtetit. Pastaj, dridhjet e brendshme që ndodhën brenda RDK e vështirësojnë pak a shumë rrugën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit më të gjerë opozitar. Dhe, kemi një të ashtuquajtur Këshill Opozitar, i cili herë sillet si trup këshilldhënës, herë si komison verifikues nëpër të cilin duhet të kalojnë kandidaturat e mundshme për deputetë e minista të ardhshëm, herë si mullar sane rreth të cilit duhet të sillen gjithë politikanët e vegjël të opozitës, e herë si konzolium mjekësh që diagnostifikon gjendjen shpirtërore, politike, sociale në shoqërinë shqiptare.

Pra, me të tilla antagonizmash të brendshme, dhe me të tilla afinitetesh që aspak nuk janë konkurruese në tregun e gjerë të ideve politike, opozita e tanishme shqiptare e ka vështirë të ndërtojë një bazë të fuqishme prej ku mund të ngrihet ajo që ata e projektojnë si shtyllë me flamuj të fitores.
Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për politikë që do t’i nxirrte ata në një shesh më të gjerë identifikimesh sociale, kulturore, etike. Nëse ky shesh vazhdon të trajtohet njëtrajtshëm vetëm partiakisht, siç po trajtohet aktualisht milieu politik i shqiptarëve, dhe nëse opozita shqiptare pushtetin e konkurron me maniret që nuk mund t’i tejkalojë, atëherë të gjithë ata që habiten pse BDI i fiton zgjedhjet duhet ta ndryshojnë stilin e kritikbërjes.

Hapësira në mes të atyre që janë të pakënaqur nga politika aktuale dhe atyre që duan të ruajn status-quon, duhet patjetër të mbushet me kuptimin e garës së civilizuar dhe ballafaqimit me ide e jo me inate personale. Fatkeqësisht në këtë garë dominojnë uniformat partiake dhe shumë pak vërehet aktivizmi qytetar si dhe zëri i atyre që kanë dëshirë ti quajm intelektualë.

I shumë kritikuari Ali Ahmeti ka arsye të ndihet tani paksa i vetmuar në këtë kurs të vështirë me dallgë të trazuara që i dalin përpara, por ai nuk ka nevojë të paguaj tagrin e një shoqërie të tërë, e cila moskonsolidimin e saj shpirtëror, intelektual e social mundohet t’ia atribuojë gjithmonë politikës dhe politikanëve.

Deri sa të mos e kuptojmë se edhe ne me kritikat jokonstruktive i ndihmojmë politikës të stërkeqet në përmasat e një përbindshi, ka rrezik atëherë që të bëhemi vet pre e asaj menye që shton oreksin e përbindshave.
A mos është atëherë pak si vonë?