Kjo është atmosfera që mbizotron në fshatin Sllupçan, një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Në këtë fshat është duke u bërë asfaltimi i rrugës kryesore, deri në fshatin Bellanoc, rrugë kjo e cila lidh Maqedoninë me shtetin e Kosovës. Banorët thonë se që prej kohës së luftës së vitit 2001, nuk mbajnë mend asnjë punim të vetëm në këtë fshat dhe për këtë fshat këto janë punimet e para dhe të vetmet deri sot edhe pse ata disa herë janë ankuar për probleme të shumta infrastrukturore.

“Ne nuk kemi pasur asgjë, kjo është mirë, por duhej të ishte edhe më e gjërë sepse kjo e lidh shtet me shtet, është rrugë që e lidh Kosovën me Maqedoninë…Partitë politike vetëm na kanë gënjyer 20 vite dhe asgjë nuk kanë bërë”, deklaroi një banor.

“Pak, shumë pak. Ne kemi menduar se do të bëhet pak më gjerë, tash flitet se është diku 4 e diçka. Ky është asfalti që lidh kufirin me Kosovën, por është shumë i ngushtë”, tha një banor tjetër.

Banorët nuk janë të kënaqur nga ky projekt dhe shprehin revoltën e tyre, pasi ky asfaltim në vend që të ishte 6 metra, në moment të fundit ka ndryshuar dhe sot banorët kanë fituar vetëm 4 m e gjysmë gjerësi të asfaltit. Banorët kërkojnë që t’u sqarohen arsyet se përse është bërë një gjë e tillë.

“Për çfarë arsye në fshat 4m , kurse në fshat së paku 5 m do duhej të ishte…Ata nënshkruesit e këktij plani dua që t’i përgjigjen këtij fshati me gjithë zemër, të gjithë kanë dalur këtu, ne donim që ta bllokojmë rrugën se 4 m e gjysmë sot nuk punohet askund rruga nëpër botë”, ka thënë një banor.

“Kush i ka fajet nuk e di, komuna apo kryesia, mirëpo këtu në fshat duheshte pak më gjerë të jetë…Asnjëherë asgjë nuk është punuar, çfarë është problemi se përse nuk punohet në këtë komunën tonë nuk e di, nuk vjen as kryetari, askush të vijë të na tregoj se si është puna”, shtoi një banor

Banorët shprehen të pakënaqur edhe nga gjithë procedura që është zhvilluar deri në momentin që ka filluar asfaltimi.

“Sinqerisht mendoj që ky fshat dobitë që i ka marrë prej këtij shteti janë neglizhente…Tash po shihet që ka filluar asfaltimi i kësaj rruge dhe unë personalisht mendoj që procesi që është zhviluar deri në asfaltim të asaj rruge mendoj që nuk ka qenë në nivel pasi që janë marrë parametrat, nuk është bërë prezantimi nga komisioni”, u shpreh një banor.

“Kur të fillojnë votimet vijnë këtu, kërkojnë vota gjithë me rend, por si po më duket prej këtij fshati nuk do të ketë asnjë votë…Porosia për deputetin që do të zgjidhet apo kryetari i komunës, të punoj për popullin dhe jo për vete. Kryetarët e tjerë që kanë kaluar nga tre mandate, përse të ju mundësohen tre mandate“, deklaroi një banor tjetër.

Banorët e Sllupçanit i bëjnë thirrje kandidatëve që pretendojnë të marrin këtë komunë, të jenë shumë të kujdesshëm ndaj veprimeve të tyre dhe të punojnë më shumë për popullin e më pak për veten./Shenja/