Në tubimin e mbrëmshëm të BDI-së në Tetovë u trumbetuan të arriturat e kësaj partie gjatë mandatit në Qeveri. Partia vuri theksin në Zonën ekonomike të Tetovës, Infrastrukturën e qytetit, rrugën për tek banja e Tetovës, objektin e Bibliotekës e Teatrit, por edhe ujësjellësin.

Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, disa prej projekteve i cilësoi si të përfunduara apo në fazë përfundimtare.

“Mendoj se për qytetarët e Tetovës do të përfundojë saga 18-të vjeçare e mungesës së ujit të pijshëm, projekti cili definitivisht parashihet që të përfundojë në vjeshtën e këtij viti”, tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Ujësjellësi i Tetovës u premtohet tetovarëve që nga viti 2005, për 11 vjet radhazi por ata ende vazhdojnë të ngelin as pa ujë për pije.

“Po, 20 vjet premtohet, ama nuk ka asgjë, zero. Dy orë ka, tre orë nuk ka. Shqiptarët s’punojnë hiq, pa marrë parasysh cila parti”, thotë një qytetar.

“Furnizimi shumë dobët është.  Ka pasë premtime shumë, gjithmonë thonë se do të realizohet, atë realizim e presim me vite”, thotë një qytetar tjetër.

Arifi u lavdërua edhe me ndërtimin e rrugës që çon në Banjën e Tetovës.

“Përfundohet rruga Tetovë-Brodec, që nënkupton ‘Rrugën e Banjës’”, tha Arifi.

Mirëpo, ajo ende është në gjendje të mjerueshme. Rruga e premtuar që Tetovarët do ta shfrytëzonin për rekreacion nuk është e përshtatshme as për të ecur në këmbë, e as nëse kaloni me veturë pasi që gropat gjenden nga të gjitha anët. Rruga as nuk është rrethuar, gjë që e shton rrezikun për aksidente të padëshiruara.

Ministri i ekologjisë, Nurhan Izari, i doli zot ndërtimit të Bibliotekës dhe Teatrit.

“Biblioteka në Tetovë, salla e sportit dhe konvikti pranë Universitetit të Tetovës”, tha ministri Izairi.

Projekti për ndërtimin e bibliotekës dhe teatrit të Tetovës, po premtohet që prej ardhjes së BDI-së në pushtet. Mirëpo, pas kaq shumë vitesh, ende mund të shihen vetëm themelet e këtij objekti.

Rikujtojmë edhe gjendjen në Zonën Ekonomike të Tetovës që është bartëse e projekteve me të cilat zotohet partia në pushtet. Pamjet që sot filmoi Televizioni SHENJA, shfaqin realitetin se në këtë vend ekziston vetëm një objekt investimi që shoqërohet nga ndërtesa administrative e firmës norvegjeze e cila menaxhon me këtë zonë. BDI-ja gjatë llogaridhënies për projektet në zonën e Pollogut, tha se janë ndarë afro 200 milion për projektet me vlerë. /Shenja