Në Klinikën për Sëmundje Infektuese sot ndërroi jetë një paciente 66-vjeçare nga Dibra e prekur nga koronavirusi, e cila për një kohë të gjatë ndodhej në makinën respiratore.

“Sot e kemi edhe një paciente të vdekur e prekur nga koronavirusi, paciente e cila për një kohë të gjatë ndodhej në makinën respiratore. Pacientja ishte nga Dibra edhe krahas të gjitha angazhimeve të mjekëve, infermierëve dhe terapisë intensive për fat të keq ndërroi jetë sot, para disa orësh”, tha në konferencën e sotme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai shtoi se pacientja e cila ka ndërruar jetë është e moshës 66-vjeçare dhe se në historinë e saj ka pasur të dhënë se pranon terapi kronike për hipertension.

Ajo dhe bashkëshorti i saj janë diagnostifikuar pozitivë ndaj koronavirusit më 6 mars. Ata në vend kanë ardhur nga Italia. Fillimisht ishin në gjendje stabile, por më pas gruas i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe është vendosur në respirator.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 29 raste të koronavirusit në vend, numri i përgjithshëm i të prekurve është 177 persona.