Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për zhvillimet e fundit brenda partisë së saj.

Ajo ka komentuar edhe deklaratat që ka dhënë ditë më parë nënkryetari dhe kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, mbi çështjen e kandidaturës për kryetar të LDK.

Osmani në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, ka thënë se nëse do të kandidojë për kryetare të LDK’së nuk do të mund ta ndalë askush dhe sipas saj brenda partisë duhet të ketë garë gjithsesi.

“Garë duhet të ketë, përndryshe është farsë. Do të ketë garë në LDK, patjetër. Sa do të jetë rrethi i ngushtë i kandidatëve përfundimtarë, nuk e di. Herën e fundit ka pasur shumë emra që shprehnin interesimin për kandidaturë, por pastaj nuk e provuan fare. Shpresoj të kemi debat për të dëgjuar platformat, idetë e secilit prej kandidatëve. Si mendojnë ata ta sjellin LDK’në të parën”, ka thënë Osmani.