Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se ekziston vetëm një formë përmes së cilës, nuk do të lejohet zgjedhja e Hashim Thaçit president. Ajo në një prononcim për Gazetën Blic ka theksuar se ajo formë është mos pjesëmarrja në seancë, çka do të bënte të pamundur kuorumin, dhe kësisoj dështimin e zgjedhjes së Thaçit në krye të shtetit.

Sipas saj, në cilindo formë tjetër, pra nëse do të ketë kuorum, Thaçi në raundin e tretë do t’i marrë votat e mjaftueshme për të ardhur në postin e presidentit.

“Siç e kam thënë tash e 1 vit, mundësia e vetme e kundërshtimit të Thaçit mbetet mos pjesëmarrja në seancë, për t’i pamundësuar kuorumin. Prandaj unë nuk do të bëhem pjesë e përpjekjes për ta bërë Thaçin president”, ka thënë ajo për Gazetën Blic.

Ajo ka sqaruar se mundësi për të votuar kundër, ashtu siç po paralajmërojnë disa deputetë të LDK-së nuk do të ketë.

Sipas saj, mundësi për të votuar kundër nuk do të ketë, sepse fletëvotimi nuk e jep atë mundësi; pra ose votohet për njërin kandidat ose për tjetrin.

“Por edhe sikur të kishte, në momentin që Thaçi e ka kuorumin prej 80 deputetësh në sallë, nuk besoj se do ta ketë problem të zgjedhet me 61 vota në rundin e tretë. Për më tepër, votimi është i fshehtë. Pra, fshehtësia e votës është e garantuar me Kushtetutë, sepse po dëgjoj që po flitet për publikim të votave”, tha Osmani.