Dy partitë më të mëdha në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE dhe LSDM për momentin nuk kanë koment rreth platformës së përbashkët të partive shqiptare BDI, Besa dhe Aleanca për shqiptarët. Platforma dhe pikat e saja do të shqyrtohen në ditët në vijim.

Pasi ta shqyrtojmë dokumentin, do të dalim me qëndrimin tonë partiak- thonë nga VMRO-DPMNE. Qëndrim të njëjtë kanë edhe në LSDM.

Deri më tani nuk kemi marrë kurrfarë dokumenti. Kur ta marrim atë, do ta shqyrtojmë dhe më pas partia do të dalë me qëndrim zyrtar- sqarojnë nga LSDM-ja.

Një pjesë e partive më të vogla, siç është “E Majta”, platformën e BDI-së, Besës dhe Aleancës për shqiptarët e vlerëson si provokuese dhe të pakuptimtë, pasi në shtet ka çështje shumë më të rëndësishme që i mundojnë qytetarët, e ato janë barabarësia sociale, papunësia dhe standardi i ulët i jetesës.

Retorika e këtillë u përshtatet vetëm interesave të të pasurve të cilët përmes nxitjes së nacionalizmit te të gjitha bashkësitë etnike përpiqen të shmangin vëmendjen nga problemet thelbësore- bëjnë të ditur nga “E Majta”.

Ali Ahmeti, Bilall Kasami dhe Ziadin Sela përgatitën platformën e përbashkët nëpërmjet së cilës synohet unifikimi i qëndrimeve për çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve. Pika kryesore të kësaj platforme është ngritja e statusit të shqiptarëve si popull shtet-formues dhe zyrtarizmi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelet.