VMRO-DPMNE vazhdon me sulmet ndaj Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Edhe sot përmes një njoftimi e akuzojnë Katica Janevën se është instrument i liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Frustrimet, jo-kompetencën dhe mungesën e provave, prokurorja speciale e ka mbuluar me sulme politike mbi gjyqtarët.

“Për më shumë se një vit Katica Janeva shpenzoi rreth 4 milion euro, dhe nuk bëri asnjë hap që do të siguronte publikun në profesionalizmin, objektivitetin dhe paanshmërinë e vet. Përkundrazi, Specialja u shndërrua në një degë të LSDM-së. Tregoi interes dhe iniciativë
vetëm kur duhej të shpëtohen nga përgjegjësia, kriminelët si Zaevi i falur, apo të realizohen rastet e urdhëruara dhe të fabrikuara politiko-partiake”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Për LSDM-në, është e paqartë pse VMRO-DPMNE e sulmon Specialen kur edhe ata e mbështetën themelimin e saj. Qëllimi i Janevës ishte të hetohen abuzimet e mundshme në mesin e zyrtarëve të lartë qeveritarë, dhe VMRO i ka sulmuar të gjithë ata që nuk i shkojnë për qejfi Gruevskit.

“VMRO-DPMNE dhe Gruevski javën e fundit u grindën ose u përpoqën ta grindin Maqedoninë me dy partnerët më të mëdhenj strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, sepse Nikolla Gruevskit të llastuar nuk i kanë pëlqyer mesazhet që i mori”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Në Prokurorinë Speciale Publike thonë se nuk do të komentojnë qëndrimet e partive politike.

“Qëndrimi ynë është parimor. Nuk do të komentojmë njoftime partiake, e as të komentojmë deklarata të politikanëve. Nuk i kemi komentuar deri tani, as edhe në të ardhmen”, theksojnë nga PSP-ja.

Kritikat e ashpra nga VMRO-DPMNE në adresë të Speciales u shpeshtuan, pasi ekipi i Janevës tërhoqi akuzat në rastin “Puçi” ndaj liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe ish kundër-zbuluesit Zoran Verushevski. Të dy ishin të akuzuar për dhunë ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror.