A kërkon BDI-ja arsyetime që mos ta mbështes punën e Prokurorisë Speciale nëpërmjet pengimit të ndryshimeve të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve?

“Prokurorja në asnjë rast nuk mund të kërkoj ndryshim të ligjeve, pasi që për këtë ajo nuk ka kompetenca. Këtë mund ta kërkojnë ata të cilat kanë kompetenca”. – Talat Xhaferi

Kështu Talat Xhaferi nga rrathët e BDI-së e komentoi deklaratën e Janevës, e cila mbrëmë i bëri thirrje Parlamentit që ti miratoj ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve të cilat i parashtroi PSP-ja. Prokurorja deklaroi se ndryshimet janë shumë të rëndësishme për punën e tyre, me qëllim që të mundet ky institucion të depërtoj në thelbin e lëndëve për Martin Neshovskit, “Monstra” dhe “Sopot”.

Në pyetjen se a do ta mbështes BDI-ja iniciativën e Janevës, duke marrë parasysh se publikisht deklarojnë se në tërësi e mbështesin punën e PSP-së, koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Xhaferi, thotë duhet të ndahen dy gjëra të ndryshme kur bëhet fjalë për mbështetjen e tyre ndaj këtij institucioni.

“Një gjë është mbështetja e PSP-së sipas ligjit i cili është i miratuar. Ndërsa gjë tjetër është pamundësia që formalisht të paraqitet PSP-ja si kërkues. Iniciativë mund të ketë çdokush. Ndërsa propozim do të thotë diçka tjetër. Propozim për ndryshime mund të parashtrojnë 10 000 qytetarë. Iniciativë të tillë, unë si koordinator i grupit parlamentar i BDI-së, nuk kam pranuar. Kur do të pranoj, atëherë do të komentojmë se a do ta mbështesim”, thotë Xhaferi.

Edhe pse, Prokuroria Speciale (PSP) para disa muaj kërkoi ndryshime të këtij ligji, i cili duhet ti forcoj kompetencat e prokurorisë gjatë mbrojtjes së dëshmitarëve, për momentin partitë nuk interes të madh për miratimin e kësaj iniciative.

NGA PSP-ja ankohen se përballen me probleme me qëllim që t’iu përgjigjen kërkesave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe me pamundësinë që të sigurojnë mbrojtje të plotë.

Drejtori i Qendrës për Komunikim i VMRO- DPMNE-së, Ivo Kotevski  thotë se ata do të shprehen për iniciativën e Janevës, kur do ta shqyrtojnë atë në tërësi.

Por si është e mundur që të dy partitë në pushtet akoma nuk e kanë shqyrtuar iniciativën për ndryshimin e ligjeve, kur ajo është parashtruar para disa muaj. A fshehën pas kësaj tendenca për pengimin e punës së PSP-së?

“Kur do të përfundojmë me analizën, do të shprehemi publikisht, shumë procese që i ndërmori PSP-ja gjatë periudhës së kaluar treguan se bëhet fjalë për jo-profesionalizëm, paragjykime dhe punë jo-objektive. Ata vet e bllokuan punën e tyre me largimin e dy prokuroreve pa arsyetim. Poenta këtu është se ligjet janë të votuar, nëse vlejnë për prokurorët tjerë, duhet të vlejnë edhe për ata”, thotë Kotevski.

Qëndrimi i BDI-së lidhur me këtë çështje është i njohur. Sipas koordinatorit të grupit parlamentar i LSDM-së, Goran Sugarevski, LSDM-ja mund të parashtroj iniciativë, por vetëm me votat e tyre, ajo menjëherë do të bie.

“Që të mbështetet, nevojiten të gjitha votat, votat edhe të BDI-së edhe të PDSH-së. Kot nëse LSDM-ja e nis këtë procedurë, nëse në fund nuk votohen ndryshimet e domosdoshme“, deklaroi Sugarevski.

Nga PDSH-ja për momentin nuk të marrim përgjigje se a do ta mbështesin iniciativën për ndryshime të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.

BDI – duket si neutrale, por në praktik është me VMRO-DPMNE-në

Politika e partisë shqiptare në pushtet – BDI, tenton me forcat e fundit që të tregoj një koordinim të plotë, madje edhe dëgjueshmëri ndaj faktorit ndërkombëtare. Shpesh BDI-ja dëshiron të prezantohet dhe të shihet si partneri i kuptueshëm, tërësisht neutral dhe pa asnjë lidhje me akuzat ndaj pushtetit. Ata e morën edhe epitetin “Ambasada e BDI-së”, siç shpesh i emëron opinioni, kur dëshiron të bëj shaka në llogari të BDI-së, për arsye të mospranimit të përgjegjësisë si partner i barabartë shumëvjeçarë në pushtet, e jo monitorues neutral i jashtëm.

Por sa janë ata me të vërtet neutral, kur praktika tregon se hapat të cilat ata i më së shpeshti  i ndërmarrin, përfundojnë me mbështetje të partnerit të tyre në Qeveri, VMRO – DPMNE.

Analisti politik, Xhelal Neziri, thotë se BDI-ja, çdo herë luan në dy anë, dhe as një herë nuk ka qëndrim të qartë për ndonjë pyetje të caktuar.

“Kjo parti një kohë të gjatë është në dy kuaj të cilat kalërojnë në dy drejtime të ndryshme. Këtë situatë, psikologët e definojnë si disonancë kongjestive, që nënkupton koekzistim i dy realiteteve të ndryshme në të njëjtën kohë tek një person, në rastin konkret partia në fjalë. BDI-ja e votoi ligjin për PSP dhe publikisht ishte për investigimin e të gjitha aferave të korrupsionit, por nuk është aq e interesuar për mbështetjen e këtyre ndryshimeve, të cilat do të sigurojnë autonomi në punën e PSP-së. Para bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit, BDI-ja në mënyrë deklarative e mbështeste zbatimin e “Përzhinos”, por në janar e votoi shpërndarjen e Parlamentit, edhe pse opinioni dhe diplomatët vlerësuan se nuk janë plotësuar obligimet për zgjedhje fer dhe demokratike. BDI-ja e cila e votoi shpërndarjen e Parlamentit, në maj dërgoi iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese për anulimin e PSP-së”, thotë Neziri.

Sipas Nezirit, momentet më kritike, BDI-ja është lojtar i bashkësisë ndërkombëtare, që më pas të jetë partneri më i besueshëm i VMRO-DPMNE-së. Në të njëjtën kohë e mban derën e hapur për koalicion me LSDM-në.

“Politika e tyre nuk kontribuon për zgjidhjen e problemeve, por mund të shërbej si mjet për blerjen e kohës në proceset politike. Sjellja e tillë nuk ka lidhje me interesin publik, me interesin e përkrahësve të BDI-së, por është e nxitur nga individ dhe klane të BDI-së për shkak të rruajtjes së interesat që i ofron pushteti”, thotë Neziri.

A luhet edhe tani një lojë e ngjashme? Edhe pse në mënyrë deklarative e mbështesin PSP-në, vallë BDI-ja kërkon arsyetime në termet procedurale, me qëllim që mos ta mbështes punën e saj përmes bllokimit të ndryshimeve të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve?

Edhe pak kohë ka mbete që të mësohen përgjigjet e këtyre pyetjeve, duke marrë parasysh se për shkak të zgjedhjeve, Parlamenti do të duhet të shpërndahet më 11 tetor.

*Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.