VMRO-DPMNE ka mbledhur mbrëmë kryesinë qëndrorë prej ku kanë lëshuar një reagim me shkrim në të cilën kundërshtojnë ashpër formimin e Qeverisë së udhëhequr nga LSDM si dhe realizimin e platformës së përbashkët të partive shqiptare. Pika më problematike në këtë komunikatë theksohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Realizimi i platformës nga Tirana dhe tentimet për imponimin e gjuhës shqipe si zyrtare, paraqet ridefinim të Republikës së Maqedonisë dhe shkon kundër karakterit multietnik të shtetit, duke i vënë në pozitë të varur pjestarët e bashkësive të tjera etnike. Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së duke analizuar gjendjen aktuale politike konkludoi se është shkelur rëndë parimi i koalicionimit të partive fituese në bllokun maqedonas dhe shqiptar, pa dallim nëse BDI do të vendos të koalicionojë me LSDM-në ose vetëm do të jep mbështetje për formimin e Qeverisë së pakicës nga LSDM pa pjesmarjen e BDI-së në pushtetin ekzekutiv”, thonë nga VMRO
Disa pjesë të propozim ligjit për gjuhën shqipe VMRO-DPMNE i ka vlerësuar si të dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare. Nga partia e Nikolla Gruevskit thonë se ky kompromis i LSDM-së mund të shkaktojë dëme afatgjate dhe paraqet potencial për tensione dhe prishje të stabilitetit për një periudhë më të gjatë. Nga kjo parti paralajmërojnë se do të pengojnë në forma të ndryshme miratimin e ligjit për avancimin e gjuhës shqipe.

“Komiteti ekzekutiv konkludoi se partia dhe deputetët e zgjedhur do të kundërshtojnë miratimin e një ligji të këtillë katastrofal dhe do të ndërmarin masa adekuate që ta mbrojnë vullnetin e shumicës”, thonë po ashtu nga partia e Gruevskit.

VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në se tenton të sigurojë mbështetje për formimin e Qeverisë duke bërë pazare me intersat shtetërore dhe nacionale maqedonase. Andaj nga kjo parti thonë se LSDM do të mbajë përgjegjësinë për zhvillimet e mëtejme në vend./Shenja