Koalicioni “VMRO për Maqedoninë”, i përbërë nga VMRO-Partia popullore, Dinjiteti dhe Të Bashkuar për Maqedoninë, do të jetë blloku i tretë opozitar maqedonas në zgjedhjet e dhjetorit. Kryetarët e tre partive, Lupço Georgievski, Stojançe Angelov dhe Lube Boshkovski zyrtarizuan sot koalicionin.
 
“Asnjëherë në Maqedoni nuk ka pasur kohë më të përshtatshme se tani për një opsion të tretë opozitar. Është koha e duhur të thërrasim të na bashkëngjiten të gjithë ata që janë zhgënjyer nga politikat e VMRO-DPMNE-së nga qendra, por dhe nga e majta”,- theksoi Lupço Georgievski nga VMRO-Popullore.
 
“Jam i nderuar që 15 vjet pas konfliktit të 2001, sërish të bashkëpunoj me ish kryeministrin Georgievski”,– tha Stojançe Angelov nga Dinjiteti.
 
“Ishim bashkë në pavarësinë e Maqedonisë, në 2001 na u bashkëngjit një djalë i ri, Stojanço Angelov, që u bë gjeneral. Ishte bashkimi ynë i dytë. Tani po bëjmë bashkimin e tretë”,– deklaroi Lube Boshkovski nga Të Bashkuar për Maqedoninë.
 
Nga Koalicioni i sapoformuar thonë se lista e kandidatëve për deputetë është ende në fazën e përgatitjes dhe do të prezantohet në kohë bashkë me platformën politike dhe ekonomike.