Ligji për gjuhët ka vazhduar të përplas deputetët në kuvend, dhe të nxis ata të nxjerrin skandale për përfaqësuesit e Qeverisë, sidomos për funksionarët e BDI-së. Në debatin e sotëm, deputeti i VMRO-DPMNE-së tha se LSDM nuk ka për qëllim të zgjidh çështjen e gjuhës për shqiptarët, por për të mbuluar krimin e funksionarëve të BDI-së.

“Për shkak se kundër z. Merko udhëhiqet procedurë për 6 milionë euro mashtrim për ndriçim rrugor në Strugë. Kompani e themeluar me qëllim, ‘Siti Llajt’, e cila për momentin kur konkurron në tenderin në Strugë, nuk e plotëson asnjë nga kushtet për të konkurruar për tender për ndriçim. E fiton tenderin prej gjashtë milion euro”, ka thënë Antonio Milloshoski i VMRO-DPMNE-së.
Akuzat e këtilla edhe sot tentoi t’i ndërpresë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili tha se ligji për gjuhët është nevojë e gjithë qytetarëve, por deputeti Milloshovski nuk ndaloi me akuzat e tij.
“Kjo nuk është nevojë e Merkos, kjo është nevojë e të gjithë shqiptarëve në R. e Maqedonisë”, tha Talat Xhaferri, kryetar i Kuvendit.
“Z. Ramiz Merko është i dyshuar edhe për futjen e 600 milion eurove kesh në valixhe nga R. e Shqipërisë përmes kalimit kufitar në Maqedoni dhe më pas të investuara në universitetin e tij. Ky është interesi i përbashkët i Ramiz Merkos dhe Koço Angjushevit. Tenderë, miliona, kesh dhe para. Nuk është nevoja e shqiptarit, maqedonasit dhe romit i cili jeton në Strugë”, deklaroi Milloshoski.
Akuzave të sotme të Antonio Milloshovskit, iu përgjigj deputeti i BDI-së, Ejup Alimi. Ai tha se shqiptarët nuk u besojnë akuzave të VMRO-DPMNE-së.
“Edhe 100 vjet ju po të jetoni, dhe të vajtoni nga kjo foltore, shqiptarët kurrë nuk u besojnë. Unë nuk e njoh asnjë nga këto deputet të VMRO-së, nuk u kam njoh ma herët. Unë ju njoh, kam qen fëmijë 16 vjetz, kur ju dhe shokët e juaj keni thirrur, ‘bomba gazi’ për shqiptarët. Po të jeni qytetar i ndërgjegjshëm do të shkoni tek institucionet ku i respektoni”, tha Ejup Alimi i BDI-së.
Akuzaet e këtilla të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, pasojnë pas akuzave të djeshme ndaj kryetarit të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për të cilin deklaroi se ka marrë 450 mijë euro provizion nga ndërtimi i sheshit ‘Skëndërbe’.