Xhaferi pret që në janar të ketë përbërje të plotë

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së vazhdoi të bojkotojë punën e Kuvendit. Ato nuk morën pjesë as në seancën e 29-të të Kuvendit, kur ishte paraparë që kryeministri dhe qeveria e Maqedonisë t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Vetë kryeministri Zaev dje deklaroi se pret që grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së të kthehet në Kuvend. Optimizmin e njëjtë e ndau edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi. Ai sot pas takimit joformal me gazetarët, theksoi se pret që më 9 janar, kur do të jetë seanca e parë e vitit 2018, në dispozicion do të ketë përbërje të plotë të deputetëve. “Mendoj se do të jenë të tejkaluara, në kuptimin e organizimit të subjekteve politike dhe ata të vazhdojnë të jenë pjesëmarrës në punimet e rregullta të parlamentit nga fillimi i punimeve pas festave d.m.th. nga 9 janari e tutje”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit. Xhaferi njoftoi se rregullorja e Kuvendit parasheh që përderisa në Sallë ka shumicë të deputetëve, Kuvendi mund të funksionojë në mënyrë të rregullt, pa marrë parasysh nëse VMRO-DPMNE paraqitet në Kuvend apo jo,shkruan tv21.tv Nga ana tejtër nga VMRO-DPMNE, duke e komentuar këtë deklaratë, theksuan se Xhaferi nuk mund të presë përbërje të plotë, kur 5% e deputetëve janë në paraburgim. Zëdhënësi i kësaj partie, Ivo Kotevski për TV21 njoftoi se nuk kthehen në Kuvend, përderisa nuk u mundësohen kushte pune dhe atmosferë demokratike. “Përgjegjësia e zotëri Xhaferit si pjesë e koalicionit qeverisës dhe përgjegjësia e koalicionit qeverisës është që të sigurojë atmosferë demokratike për zhvillim të debatit në Kuvend. Për momentin kemi 5% nga numri i përgjithshëm i deputetëve që janë në paraburgim, që janë padrejtësisht në paraburgim. Kjo nuk është atmosferë në të cilën deputetët opozitarë do të mund që në mënyrë demokratike të diskutojnë, të ofrojnë propozime, të përmendin vërejtje, për politika të caktuara të qeverisë”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE. Ndryshe vendimi i djeshëm të partisë më të madhe opozitare ka të bëjë me vendimin e gjykatës themelore për të vazhduar paraburgimin e 12 % të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.