Ylli i hitit të madh gjatë viteve të 90-ta, “Lambada”, Loalwa Braz Vieira ka vdekur në moshën 64-vjeçe, ndërsa trupi i saj është gjetur në një veturë e përfshirë nga flakët, transmeton Zeri.info.

Hetimi ka treguar se në shtëpinë e saj kishin hyrë me forcë dy persona, ndërsa më pas është zbuluar se ata i kishte lëshuar brenda roja i saj. Sulmuesit ia kishin vjedhur kartelat e kreditit dhe celularin dhe e kishin rrahur rëndë.

Edhe pse ishte munduar të mbrohej, Vieira nuk kishte mundur t’u bëj ballë atyre. Pas kësaj, ata të alivanosur e kishin futur në një veturë dhe ia kishin vënë flakën. Përveç veturës, ia kanë djegur edhe shtëpinë. Një fqinj i saj kishte thirrur zjarrfikësit të cilët e kishin nxjerrë trupin e saj të vdekur nga vetura që digjej.

Image

Edhe pse në fillim ishte menduar se bëhej fjalë për dy sulmues, është konstatuar se ajo ishte sulmuar nga tre meshkuj të moshës mes 18 dhe 23-vjeçe, shkruan më tej zeri.info. Njëri prej tyre ishte roja i cili kishte ndryshuar vazhdimisht dëshminë, por në fund ishte dorëzuar dhe e kishte pranuar fajin.

Pas pranimit të tij, janë arrestuar edhe dy personat e tjerë tek të cilët janë gjetur gjësendet e vjedhura të këngëtares./ZERI