Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i quajti pa sukses bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, tha Vuçiqi.

I pyetur nga gazetarë se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, tha presidenti Vuçiq.

Ai foli edhe për zgjedhjet në veri të vendit, duke thënë se nëse kryetarët aktualë dorëhiqen, ai do t’i bindë serbët të dalin në zgjedhje.

“Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqjen, do të bëj çmos që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai kur u pyet nëse është folur për zgjedhje në veri. /Gazeta10