Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka reaguar pasi avokati Tomë Gashi, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, ditë më parë kishte reaguar ashpër dhe kishte mohuar masakrën e Reçakut.

Pas këtyre deklaratave më 6 dhjetor, avokati Tomë Gashi kishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E pas këtij kallëzimi penal të avokatit Gashi, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka reaguar duke thënë se, Vuçiqin nuk mund ta gjykojë askush.

“Kosova nuk është shtet dhe nuk mund të dalë në gjyq kundër Aleksandar Vuçiq”, deklaroi Vulin

Sipas Vulinit, të gjithë serbët që thonë të vërtetën në lidhje me masakrën e Reçakut, janë një makth i vërtetë për kosovarët.

“Nuk ka diçka të tillë për ne, nuk është një shtet që mund të gjykojë”, tha Vulin, kur u pyet nëse Serbia do t’i përgjigjej kallëzimit penal që avokati Gashi ka bërë për Vuçiqin.

Vulin po ashtu tha se, do të kishte shumë akuza dhe aktakuza të ngjashme nëse Kosova do të ishte një anëtare e plotë e INTERPOL-it dhe do ti shërbente Kosovës si një mjet për llogaritjen politike.

“Ata gjithashtu kanë ngritur disa akuza kundër meje, unë nuk do t’i kushtoj vëmendje, kjo flet për qëndrimin e Kosovës ndaj atyre me të cilët po flasin”, deklaroi Vulin, transmeton më tutje lajmi.net.

Duke folur për kallëzimin penal të Gashit kundër Vuçiqit, Vulin tha se, për kosovarët, makthi më i madh është një serb i lirë që sipas tij, po e thotë të vërtetën, duke shtuar se kur Vuçiq, fjala e të cilit në bashkësinë ndërkombëtare ka peshë, tha se masakra e Reçakut ishte gënjeshtër.

“Siç tha Vuçiq, Reçak shërbeu si një justifikim monstruoz për “vrasjen” e ish-Jugosllavisë dhe si një justifikim për të justifikuar vrasjen e më shumë se dy mijë e gjysmë civilëve dhe ushtarëve dhe shkatërrimin e vendit tonë. Nëse Reçak nuk ishte i vërtetë, atëherë agresioni i NATO-s nuk e kishte as këtë arsyetim. Është e padiskutueshme që masakra e Reçakut nuk është masakër ndaj civilëve, por pjesëtarë të UÇK-së që u vranë në luftime, të cilët ishin të armatosur dhe në duart e të cilëve kishte barut. Një dëshmi e tillë ekziston”, pretendoi Vulin.

Theksojmë që, vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës është i shkallës së parë dhe kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.