Mesfushori i Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka ka një mesazh për Kombëtaren e Shqipërisë.
 

Granit Xhaka po e mendon që tani përballjen me Kombëtaren tonë, të cilën e konsideron si mjaft të çuditshme, pasi nuk priste një përballje kundër vendit të tij në Evropian.

Gjithsesi futbollisti kosovar i ka paralajmëruar shokët tek Përfaqësuesja e Zvicrës, duke theksuar se Kuqezinjtë janë mjaft të fortë.

“Për ne nuk do të jetë e vështirë t’i kontrollojmë emocionet pasi jemi përballur me Shqipërinë dy herë në ndeshje të rëndësishme”, deklaroi fillimisht Xhaka për portalin zviceran, ‘Watson.ch’.

“Shqipëria mund të jetë një kundërshtar i paparashikueshëm. Kanë mposhtur ekipe të mëdha kohëve të fundit si Francën e Portugalinë. Janë ekip për t’u respektuar”, përfundoi futbollisti nga Prishtina, i cili sot iu bashkua Përfaqësueses së Zvicrës, para miqësoreve të marsit.