Xhinxheri ose xhenxhefili konsiderohet si një prej bimëve më të shijshme dhe më të shëndetshme të planetit.

Kinezët thonë që “rrepat në dimër dhe xhenxhefili në verë mban mjekun larg.” Xhinxheri ose xhenxhefili  konsiderohet si një prej bimëve më të shijshme dhe më të shëndetshme të planetit, vlerat e të cilit shkojnë përtej një stine të vetme. Xhenxhefili është një antioksidant i fuqishëm që pastron trupin nga helmet. Ai bën një punë të mrekullueshme në kurimin e shqetësimeve në stomak, kundër inflamacionit, stimulon qarkullimin e gjakut, hollon gjakun, lehtëson dhembjet e muskujve dhe lufton infeksionet e brendshme. Këto vlera nuk janë legjenda urbane, tashmë janë të miratuara shkencërisht. Një studim i publikuar në Qendrën e Bioteknologjisë i jep fund spekullimeve dhe shpjegon benefitet e xhenxhefilit për problemet e sistemit tretës, për problemet e stomakut gjatë udhëtimit dhe jo vetëm kaq. Kërkimet për të mirat që vijnë nga konsumimi i xhenxhefilit vazhdojnë. Disa prej tyre sugjerojnë që ky produkt pikant mund të përdoret edhe në luftën kundër disa llojeve të kancerit. “Vlerat anti-kancerogjene të xhenxhefilit janë të dokumentuara”, thotë një studim i publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Mjekësisë Parandaluese. Një studim tjetër shpjegon se e njëjta substancë (gingerol) e bën xhenxhefilin pikant dhe lufton kancerin e zorrës së trashë. Për të provuar këtë teori, shkencëtarët e Universitetit të Minesotës përdorën minj laboratori dhe arritën në konkluzionin që gingerole ishte parandalues ose terapeutik ndaj kancerit të zorrës së trashë. Për më tepër, xhenxhefilit i atribuohen edhe vlera në trajtimin e artitit, fuqizimit të sistemit imunitar dhe në trajtimin e virozave të stinës. Mjekët rekomandojnë konsumimin e 250 miligramë xhenxhefil katër herë në ditë për të parandaluar të vjellat por recetat dhe gramaturat janë të panumërta.

Çaji i Xhenxhefilit

Përmban nivele të larta të vitaminës C, magnezit dhe mineraleve të tjera. Një kupë çaji para udhëtimit, parandalon të përzierat. Përmirëson performancën e stomakut në tretje dhe kuron problemet e ndryshme në sistemin e frymëmarrjes duke nisur nga ftohja deri te alergjitë e ndryshme. Përmirëson qarkullimin e gjakut dhe qetëson muskujt. Për shkak të nivelit të lartë të antioksidantëve, forcon sistemin imunitar dhe ndihmon në çlirimin e stresit dhe qetësimin e sistemit nervor.