Është tejet e rëndësishme të konfirmohet përgjegjësia për përgjim ilegal dhe për keqpërdorimet e dyshuara qeveritare lidhur me përgjimin. Ky do të jetë hap kyç që Maqedonia t’i bind NATO-n, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar se është e gatshme të integrohet në ato organizata, theksoi zëvendësndihmësi i sekretarit shtetëror të SHBA-së, Hoyt Yee, në një intervistë për emisionin 360 shkallë në TV Alsat, përcjell Fol.

“Kjo është e rëndësishme edhe që qytetarët e vendit të binden se është vendosur sundim i së drejtës. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, udhëheqësve politikë dhe qeveritarë, anëtarë të Parlamentit, të bëjnë gjithçka që të zbatohet drejtësia, PSP të marrë mbështetjen e nevojshme për të bërë punën dhe të mos ketë presion politik mbi prokurorët dhe gjykatësit e përfshirë në konfirmimin e përgjegjësisë. Kjo duhet të bëhet në afat të arsyeshëm dhe të mos zvarritet”, theksoi Yee.

Kyçe për ardhmërinë e Maqedonisë, sipas tij, është të bëhen reformat e nevojshme gjyqësore të cilat do të mundësojnë gjyqësia të bëhet e pavarur, e lirë nga presioni politik, që të mund të marrë vendime të shpejta dhe në kohë, me ç’ka do të mundësohet sundim i fuqishëm i ligjit.

“Kjo është e rëndësishme për qytetarët, për integrimin në NATO dhe BE, dhe për tërheqjen e investimeve të huaja”, ka shtuar Yee.

Për relacionet pushtet – opozitë në Maqedoni, Yee tha se çdo demokraci ka nevojë për qeveri të fortë, por edhe për opozitë të fortë, e cila jo vetëm që do të bllokojë propozimet me të cilat nuk pajtohen, por gjithashtu edhe do të ofrojë alternativa. Maqedonia, thotë Ji, nuk mund të lejojë luks të zvarritjeve të vazhdueshme dhe obstruksione nga partitë.

“E drejtë demokratike është të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore që janë në përputhje me rregullat parlamentare. Por obligimi për opozitë të përgjegjshme dhe konstruktive nënkupton jo vetëm bllokim të propozimeve, por edhe ofrimin e alternativave. Prandaj, shpresojmë që VMRO dhe partitë e tjera parlamentare të jenë konstruktive, se ata do të kërkojnë kompromise kur ka mosmarrëveshje. Nga afër do të vëzhgojmë njëjtë edhe BE-ja. Do t’i konsiderojmë për përgjegjëse ato parti apo individë që bëjnë obstruksione vetëm për shkak të pengesave ose për shkak të qëllimeve personale apo qëllime të tjera “, tha Yee.

Zëvendësndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së, u përqendrua edhe në ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vlerëson se Maqedonia duhet të punojë në drejtim të forcimit të mediave të pavarura dhe t’i shmanget dezinformimeve nga Rusia.

“Shohim se Rusia po përpiqet të dekurajojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE. Është e rëndësishme që Maqedonia, duke punuar me ne, me BE-në dhe me partnerët në rajon, të vazhdojë të kundërshtojë ndikimet malinje nga çdo burim që do të vijë, të vazhdojë të forcojë mediat e pavarura, është e rëndësishme të ketë media të forta, profesionale, të pavarura, që do t’u rezistojnë dezinformatave nga Rusia apo burime të tjera”, deklaroi Hoyt Yee. /Fol/