Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri i është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar nga opozita që të heqë dorë nga dhuna.
Ymeri në profilin e tij në “Facebook”, ka shkuar së Hashim Thaçi po përpiqet që t’i zvogëlojë sadopak protestat gjithëpopullore që do të nisin më 9 janar, e që do të vazhdojnë deri në largimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm. “Hashim Thaçi, i cili kritikon opozitën se kinse po vepron ‘për pushtet’, harron që ai vetë u ‘nominua’ për president njësoj si personazhet e Big Brother-it, pasi nënshkroi një marrëveshje të fëlliqur të ndarjes së pushtetit me aleatët e tij, Isa Mustafën edhe Listën Srpska, bashkë me të cilët ai krijoi Qeverinë e Rashkës”, ka thënë Ymeri.
 
 
Postimi i plotë i Ymerit në profilin e tij në “Facebook”:
 
 
Zëvendëskryeministri që mezi pret të bëhet president, sot ka shkruar një hartim ku si zakonisht kërcënon opozitën. Hashim Thaçi, pretendent për president po përpiqet t’i zvogëlojë sadopak protestat gjithëpopullore që do tw nisin më 9 janar, e që do të vazhdojnë deri në largimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm.
Hashim Thaçi, i cili kritikon opozitën se kinse po vepron “për pushtet”, harron që ai vetë “u dominua” për president njësoj si personazhet e Big Brother-it, pasi nënshkroi një marrëveshje të fëlliqur të ndarjes së pushtetit me aleatët e tij, Isa Mustafën edhe Listën Srpska, bashkë me të cilët ai krijoi Qeverinë e Rashkës. Për pushtetin e presidentit, pra për post e për pozitë, ai themeloi një Qeveri që ka punuar vetëm për Serbinë në Kosovë, e kundër Kosovës si republikë e qytetarëve të saj. Këta partnerë qeverisës fillimisht kishin premtuar qindra mijëra vende pune, por në aspektin ekonomik sollën vetëm rritje të pasurisë së tyre milionëshe, e varfërim të skajshëm të popullit. Kjo qeveri nuk solli asnjë investim të ri e të mençur në ekonomi, në infrastrukturë, në bujqësi, në shkolla, në spitale. Kjo qeveri nuk nisi ndonjë fushatë për luftën ndaj korrupsionit dhe për vendosjen e drejtësisë. Të vetmet “dhurata” që i ka bërë kjo qeveri popullit të saj në 2015-n kanë qenë negociatat e pambarimta me Serbinë, deklaratat raciste të Jabllanoviqit, themelimi gjarpëror i Gjykatës Speciale, marrëveshja ku i falen Malit të Zi 8200 hektarë, dhe marrëveshja për krijimin e “Zajednicës”, e cila e shkel Kushtetutën e Kosovës në plot 23 pika, dhe së fundi, nënshkrimi shumë i dëmshëm i memorandumit për “Kosovën e Re” me Contour Global. Sot Thaçi nuk guxon të flasë fare për marrëveshjen e 25 gushtit, por bën sikur e ka harruar atë. Gjykata Kushtetuese tregoi që ajo marrëveshje shkel 23 nene të Kushtetutës. Thaçi në vend që të japë llogari, siç kishte premtuar, po insiston në ringjalljen e “Zajednicës”.
Si frikacak i pandershëm, Hashim Thaçi nuk guxon të flasë për dështimet e qeverisë dhe të ministrisë së tij. Si mashtrues i kamotshëm ai edhe sot dredhon prej përgjegjësisë së vet, dhe flet për protestat e opozitës, që sipas tij do të jenë të dhunshme. Janë të njëjtat gënjeshtra që këta i thonë sa herë që duan të shtypin opozitën. Të njëjtat gënjeshtra i thanë edhe para protestës masive opozitare më 28 nëntor. Por kësaj qeverie dhe vetë Thaçit po i afrohet fundi i pushtetit. Këta njerëz të stërkorruptuar, që jetojnë në luksin e vjedhur prej popullit të stërvarfëruar, nuk do të mund ta shesin Kosovën. Protesta e 9 janarit ka për të qenë madhështore dhe vendimtare. Hashim Thaçi dhe shefi i tij, Isa Mustafa, janë të ftuar t’i numërojnë pjesëmarrësit, dhe të shkruajnë statuse, nëse s’kanë punë tjetër. Në qeveri janë kallëzuar të paaftë dhe kriminalë. Opozita e bashkuar me qytetarët ka për të fituar.
visar_ymeri