Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas takimit me presidentin Gjorgje Ivanov, tha se u është kërkuar që të dërgojnë dëshmi me 61 nënshkrime të depytetëve të presidenti Ivanov, dhe pastaj do t’u jepet mandati për formimin e qeverisë së re.

“Erdhëm që ta marrim mandatin për të formuar Qeverinë. Në takim u diskutuan të gjitha detajet dhe na u tha se si parti e dytë me më shumë mandate deputetësh, nuk mund ta marrim mandatin për formimin e Qeverisë. Arsyeja ishte se ne duhet të dëshmojmë se kemi shumicën sipas Kushtetutës për formimin e qeverisë dhe ajo është më së paku 61 deputetë me nënshkrimin e tyre t’i paraqesim te kabineti i Gjorge Ivanovit, pas së cilës do të na jepet mandati për formimin e qeverisë së re”, deklaroi Zaev.

 

Në pyetjen e gazetarëve, Zaev tha se zgjedhjet e reja i konvenojnë LSDM-së por jo edhe Maqedonisë. Megjithatë ai tha se askush nuk mund të mendojë në kokën e tij për zgjedhje të reja. Ai u shpreh i bindur se Qeverinë e ardhshme do ta udhëheqë ai dhe partia e tij.