Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev edhe sot i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së opozitare që të përfshihet dhe të mundësojë referendum të suksesshëm për, siç tha, të ardhme të suksesshme të shtetit të përbashkët. Nevojitet unitet, potencon Zaev, duke shtuar se mundet opozita dhe pushteti të jenë të ndryshme dhe të mos pajtohen për shumë çështje, por se në momente historike të gjithë duhet të qëndrojnë të bashkuar sepse shteti nuk ka rrugë tjetër alternative.

“Si kryeministër kam mandat deri në vitin 2020. Nëse referendumi dështon dhe nuk ka sukses ne sipas të gjitha mundësive përfundojmë me politikat këtu. Por, çka do të na nevojitej qeverisja kur nuk ka të ardhme shteti. Nga këtu i bart qëndrimet për përgjegjësinë e të gjithë aktorëve politik në shtet përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në se duhet të qëndrojë në sigurimin e së ardhmes së prosperuar të RM-së”, tha Zaev në konferencën “Maqedonia sheh përpara: është çasti që të kapet treni për në BE”.

Për këtë unë, tha Zaev, ndoshta është naive, por besoj se VMRO-DPMNE-ja do të përfshihet në suksesin e referendumit, se do të gjejë mënyrë dhe se duhet të gjejë mënyrë.

“Nuk ekziston rrugë tjetër alternative për shtetin tonë të përbashkët dhe për këtë nuk do të ndaloj të dërgoj thirrje deri te opozita që të përfshihet në referendum”, tha Zaev.