Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë dhe i pacenueshëm.

“Është një bazament mbi të cilin kemi luftuar, duke pasur edhe ndihmën e shteteve të BE-së dhe Amerikës. Në bazë të këtij territori e kemi shpallur Pavarësinë. Mbi 110 shtet na kanë njohur mbi këtë bazë”, ka thënë Veseli në një konferencë për media.

“Nuk ekziston asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Ai do të ekzistojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Ai ka thënë se thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga opozita ku do të diskutohet për kufijtë, është një nga dëmet më të mëdha që i bëhet Kosovës.

“Legjitimi i temës së ndarjes, pa fakte, pa argumente, për ne është e papranueshme, është skenar jashtë interesave tonë dhe partnerëve tanë”.

“PDK konsideron se ngritja e kësaj teme të rrezikshme, do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut. Këto seanca nuk i ndihmojnë Kosovës, i ndihmojnë si kundërargumente kundërshtarëve tanë”.

Veseli ka bërë më dije se partia e tij do të jetë më 4 shtator në seancën e jashtëzakonshme, për të treguar qëndrimet dhe argumentet e tyre.