E mërkurë, 8 Maj, 2024
Ballina Lajme Maqedoni Zbulohet mënyra se si bankat e Maqedonisë kanë larë para

Zbulohet mënyra se si bankat e Maqedonisë kanë larë para

Nëpërmjet mijëra transaksioneve joligjore dhe dhënie të kredive personave të afërt me bankat, bëhet larja e shumave të mëdha të parave, me çka dëmtohen kredi-marrësit dhe përfiton një grup i personave të inkriminuar. Se sistemi bankar është zhytur në një numër të madh parregullsish, kanë vërtetuar raste të shumta të paraqitura në Transparencë-Maqedoni, menjëherë pas publikimit të rastit “Kubus”, njofton Portalb.mk.

“Kubus”, “Eureka Informatika”, “Ki-Metal”, “Shëndeti” janë vetëm disa nga viktimat e kaosit që po ndodh në sistemin bankar të Maqedonisë. Banka të caktuara u japin kredi personave të lidhur me bankat, kredi këto që nuk i kthejnë asnjëherë. Mandej bankat për të mos humbur rejtingun, mundohen që ta mbulojnë disi këtë humbje. Duke shfrytëzuar zbrazëtirat juridike, i mbulojnë të gjitha gjurmët e kapitalit. Ashtu që i shfrytëzojnë kredi-marrësit për të bërë transaksione deri në banka të treta, në mënyrë që Banka Popullore të mos mund të kryejë kontroll.

“Kur kapitali përfundon në banka të treta, humbin gjurmët dhe Banka popullore nuk mund ti kontrollojë. Këtë bankierët e dinë mirë dhe e keqpërdorin shumë shpesh. I vetmi organ që mund të bëjë diçka në këtë rast është prokuroria publike. Nëse Prokuroria Publike vërteton se bëhet fjalë për larje parash, atëherë sipas ligjit ka obligim ta informojë guvernatorin e Bankës Popullore e ai të ndërmarrë masat e mëtejshme sanksionuese” tha Borçiç Petrevski, nga “Shëndeti”.

“Bankat keqpërdorin besimin e klientëve të tyre, kërkojnë nga to që t’u lëshojnë kredi pavarësisht se nuk u duhen në mënyrë që të ndihmojnë dikë tjetër. Por mandej vie deri në atë shkallë që pa i pyetur fare ndërmarrjet, me paratë e tyre bëjnë transaksione të ndryshme” sqaroi kryetarja e Transparencë-Maqedoni, Sllagjana Taseva.

Taseva tha se analiza “Parregullsitë e punës në sektorin bankar në dobi të personave” bazohet në të dhëna zyrtare nga regjistra relevante. Sipas saj, bëhet fjalë për numër të madh të transaksioneve financiare, në të cilat janë të kyçur numër i madh i bankave, ndërmarrjeve dhe personave, që janë të lidhur me bankat. Nga analiza e transaksioneve dhe lëvizjes së parave mund të shihet një model, që iu mundëson këtyre personave, që nëpërmjet punëve të paligjshme të realizojnë të ardhura. Të ardhurat arrihen në dëm të ndërmarrjeve, të cilët përdoren si mbulesë të punëve të paligjshme, por edhe në dëm të aksionarëve të tjerë nëpër banka.

Njohja me ligjet dhe rregullativat për punën bankare, por edhe përvoja e ndryshimit joadekuat të tyre, iu mundësuan këtyre personave që në mënyrë të pandalshme të kryejnë veprime të inkriminuara, edhe atë që nga viti 2004.

Institucionet, para së gjithash Banka Popullore e RM-së dhe gjykatat pavarësisht se janë njoftuar me rastet në të cilat bëhet fjalë për keqpërdorim të punës bankare nuk janë të gatshëm të ndërmarrin masa në kuadër të kompetencave të tyre.

“Institucionet publike nuk kanë kapacitet ti zbulojnë këto transaksione, e gjithë kjo i le hapësirë një krimi të organizuar mirë që në fund e shkatërron sektorin e biznesit. Bankat nuk po e mbështesin, por po e shkatërrojnë sektorin e biznesit” theksoi Petrevski.

 “Që nga viti 2009/10 kam paraqitur krim të organizuar në Prokurorinë Publike Themelore, Prokuroria ma ktheu negativisht. E dorëzuam këtë skemë se si bëhet larja e parave, por prokuroria themelore na e ktheu. Nëse nuk kthehet drejtësia më 11 dhjetor, unë vendosa të hy në grevë. Deri tani nuk ka drejtësi në Maqedoni. Ka elemente të krimit të organizuar” u shpreh Adil Mustafa, pronar i shtëpisë së shëndetit “Shëndeti”.

“Dikur bankat ishin sektori më i sigurt financiar për shkak se ishin të rregulluara por përballemi me një situatë krejtësisht tjetër që mund ta rrezikojë tërë sistemin bankar të RM-së. Presim qasje shumë serioze nga institucionet, të na mbështesin në punën e mëtejshme të hulumtimit të këtyre veprimeve të palejueshme dhe zbardhjen e tërësishme, që të dalim nga ky lloj i korrupsionit që e robëron shtetin, që ka ndikim të vazhdueshëm në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve” tha ndër tjerash Taseva.

Ajo siguroi se Transparencë-Maqedoni po bën gjithçka që të sigurojnë të gjitha dokumentet që do ta zbardhin dukurinë në tërësi, në mënyrë që Prokuroria Publike të mos e kthejë padinë sërish, ashtu siç kishte vepruar më parë./Portalb.mk