Ditëve të fundit, krahas kombinacioneve për formim të qeverisë së re, shpesh dëgjohen edhe zëra për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja në Maqedoni. Prej liderëve të partive shqiptare që morën pjesë në debatet në TV21, më decidi ishte kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i cili haptazi u shpreh se, në qoftë se asnjëra pati maqedonase nuk e pranon platformën e përbashkët të partive shqiptare, atëherë do të duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Nga Lëvizja Besa konsiderojnë se në rast se mbahen zgjedhje të reja, atëherë kjo parti do të fitonte edhe një deputet më shumë. Ndërkaq, lideri i LR-PDSH-së Sela ishte kategorikisht kundër zgjedhjeve të reja.
Për momentin ende nuk dihet qëndrimi i opozitës, as për çështjen e zgjedhjeve të reja dhe as për dilemat e tjera që u paraqitën ditëve të fundit. LSDM në disa raste përsëriti qëndrimin se qeveria nuk duhet të drejtohet nga OBRM-PDUKM-ja, gjegjësisht në kabinetin qeveritar nuk duhet lejuar të ulen njerëz të dyshuar për vepra të rënda penale./Telegrafi/