Diplomatit slloven, Samuel Zhbogar, i kanë mbetur vetëm edhe shtatë javë mandat si shef i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe më pas karrierën diplomatike pritet ta vazhdojë në Maqedoni.

Zhbogar do të jetë pasardhës i diplomatit estonez, Aivo Orav, i cili që nga viti 2012 ka shërbyer si ambasador i Bashkimit Evropian në Shkup.

Drejtuesit e Zyrës së BE-së në Prishtinë konfirmojnë për gazetën “Zëri” se mandati i shefit të tyre përfundon më 31 gusht 2016.

 “Mandati i Samuel Zbogar, si kryesues i Zyrës së BE-së në Kosovë, përfundon më 31 gusht 2016. Posti i kryesuesit të Zyrës së BE-së në Kosovë është pjesë e procesit qarkullues të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian për vitin 2016, i cili tashmë është lansuar dhe data e paraparë për marrjen e detyrës së pasardhësit, është 1 shtatori 2016. Njoftimi për pasardhësin e tij, do të bëhet nga Federica Mogherini”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Bashkimit Evropian.