Qasjen kritike të Komisionit të Venecias, në versionin jozyrtar, mbi ligjin për përdorimin e gjuhëve, juristi Naser Ziberi e cilëson si të gabuar. Sipas tij, Komisionit të Venecias i ishin dërguar për vlerësim vetëm nenet që rregullonin dygjuhësinë në banknota dhe në uniformat e ushtrisë, të cilat nene akoma nuk janë miratuar.

“Nuk e di se si ka ardhur që Komisioni i Venecias të bëjë një analizë të këtillë e cila është papërjashtim gabimisht e shtruar për arsye se Komisioni i Venedikut analizon ligjin dhe e krahason atë me ligjin që nuk ekziston të vitit 2008 dhe me standarde evropiane të cilat nuk i dedikohen gjuhës shqipe sepse gjuha shqipe në bazë të Kushtetutës nuk është gjuhë e pakicës por është gjuhë zyrtare siç është maqedonishtja me dy përjashtime të vogla, në marrëdhënie ndërkombëtare dhe në gjithë territorin- tha Naser Ziberi, juri.

Sipas Ziberit, zbatimi i plotë i ligjit për përdorimin e gjuhëve në sistemin gjyqësor dhe në prokurori do të hasë pengesa por jo më shumë se sa zbatimi i tij në të gjitha strukturat e tjera të institucioneve në vend. Kritikat nga Venecia, pritet të vështirësojnë zbatimin.

“Ligji thotë se procedurat do të zhvillohen në gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve vetëm në rast se të gjithë pjesëmarrësit në procedurë, gjuhë që përdorin kanë gjuhën që flasin 20% e qytetarëve në shtet. Është tërësisht irelevante nëse procedura do të zhvillohet në shqip ose maqedonisht dhe nuk do të ketë asnjëfar prolongimi në këtë rast. Në raste të tjera sigurohet përkthim, i cili përkthim edhe ashtu është standard ndërkombëtar në procedurat penale- shtoi Naser Ziberi.

Ziberi vlerëson se shteti nuk ka obligime për zbatimin e rekomandimeve të Venecias, Komision i cili është këshilldhënës. Secila tentativë për ndryshimin e ligjit, siç vlerëson Ziberi, do të hasë në pengesa nga deputetët shqiptarë për shkak të votimit të tij me Badenter në Kuvend.