Si pasojë e zjarreve masive që kanë përfshirë qytetin Haifa në Izrael, mbi 60.000 persona janë evakuar ndërkohë që deri më tani raportohet edhe për 30 individë që kanë mbetur të plagosur, ose kanë pësuar djegie të shkallëve të ndryshme. Ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit, por kryeministri Benjamin Netaniahu nënvizoi se shkaqet kanë qënë natyrale dhe jo-natyrale. Ndërkohë, një Ministër i qeverisë u shpreh më herët se dyshohet për një zjarrëvënie të qëllimshme.

Të paktën 60 mijë persona janë evakuuar për shkak të zjarreve masive që kanë përfishirë një pjesë të konsiderueshme të qytetit Haifa në Izrael.

Fatmirësisht, ende nuk ka asnjë raportim për viktima por 30 persona kanë mbetur të plagosur, ose kanë pësuar djegie të shkallëve të ndryshme.

Gjithashtu, dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë mundur që të zbulojnë shkakun e përhapjes së flakëve, por gjatë një komunikate që pati për mediat një zyrtari i lartë i qeverisë izraelite u shpreh se në plan të parë, duket sikur bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme.

Pothuajse një qëndrim të njëjtë pati edhe Kryeministri i vendit, Benjamin Netaniahu, i cili  tha se zjarri është përhapur me shkaqe natyrore dhe jo natyrore.

Aktualisht, në zonat më problematike janë dërguar zjarrëfikëse dhe mjete të tjera për shuarjen e zjarrit. Në qytetin Haifa jetojnë afro 300.000 banorë ndaj autoritetet kanë nisur të marrin masa për të parandaluar çdo tragjedi të mundshme.

Ndërkohë, bëhet gjithashtu me dije se përgjatë javëve të fundit në këtë zonë ka patur thatësira, gjë që ka ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.

Ekspertët paralajmërojnë se në rast se flakët nuk do të kenë kundërpërgjigjen e duhur, zjarri mund të përfshijë edhe kryeqytetin e Izraelit.

Situata alarmante ka vënë në lëvizje edhe vendet e tjera, një sërë shtetesh si Turqia, Rusia, Kroacia, Greqia dhe Qipro, që  kanë ofruar ndihmë për të ndihmuar në neutralizimin e zjarrit.

Autoritetet izraelite pritet të nisin edhe një hetim zyrtar për të zbuluar se në ç’rrethana u ndez dhe u përhap zjarri.