Kuvendi i Maqedonisë ka votuar sonte qeverinë e re të udhëhequr nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev.

Në mbështetje të qeverisë votuan 62 deputetë nga mazhoranca e re e përbërë nga koalicioni i LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, 44 deputetë votuan kundër dhe 5 abstenuan.

Kryeministri i ri maqedonas, Zoran Zaev gjatë fjalimit të tij para votimit theksoi se Qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për reforma të thella, kthimin e jetës në Maqedoni, si dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionit.

”I pranoj edhe kritikat edhe ofendimet. E vërteta është një, dhe ajo do të del në sipërfaqe. Do të punojmë për bashkimin e popujve në vend. Ju lus që të na mbështetni për ligje që janë për qytetarët. E ardhmja do të na dënojë nëse nuk jua plotësojmë nevojat qytetarëve dhe nuk e çojmë vendin përpara.” tha Zaev mes tjerash në fjalimin për qeverinë e re.