Republika e Maqedonisë ende ka para vetes disa opsione, mes të cilave luhaten qeveritë e vendit që nga krijimi i kësaj republike më 1944 dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë së shtetit më 1991, por ka vetëm një alternativë të sigurt që të mbijetojë si shtet në të ardhmen.

Opsioni i parë: Ta vazhdojë partneritetin strategjik me Serbinë (kjo nënkupton edhe me Rusinë). Kjo tendencë është shfaqur hapur sidomos gjatë qeverisjes në periudhën 2006-2017, duke e rrezikuar perspektivën evropiane, integrimin e vendit në NATO dhe BE, me këtë duke e kërcënuar vazhdimisht paqen dhe stabilitetin e brendshëm, për shkak të tendencave historike serbe për sundimin e Maqedonisë dhe asimilimin e popullatës sllave vendëse. Kjo është strategjia e fshehtë serbe, pse asnjëherë nuk e ka njohur autoqefalitetin e kishës ortodokse maqedonase. 

Opsioni i dytë: Të afrohet me Bullgarinë, nga e cila Maqedonia mund të sigurojë mbështetje për anëtarësim në NATO dhe BE. Këto ditë pritet të nënshkruhet një Marrëveshje mirëbesimi dhe fqinjësie të mirë mes dy vendeve, me çka rrezikon ta humb identitetin maqedonas, gjuhën, kulturën dhe historinë, do të detyrohet ta ndryshojë emrin e shtetit për t’u shndërruar në gjysmështet bullgar. 
Opsioni i tretë: Animi ndaj Greqisë, si variant me pasoja më tragjike, duke pasur parasysh fatin e popullatës sllave në Maqedoninë e Egjeut, pas vitit 1913 e deri më sot, planin e fshehtë për ndarjen e Maqedonisë të vitit 1992, si dhe mohimin e vazhdueshëm të emrit të shtetit të Maqedonisë, me këtë edhe bllokimin e procesit të integrimeve në strukturat euroatlantike.  
Aternativa: Alternativë e vetme për Maqedonisë që të mbijetojë si shtet i pavarur, të sigurojë perspektivë evropiane dhe stabilitet të brendshëm afatgjatë, është njohja pa kusht e popullit shqiptar për shtetformues, partner i barabartë në vendimmarrje dhe qeverisjen e vendit. Me këtë, për interesa globale gjeostrategjike, të partneritetit në kuadër të Ballkanit Perëndimor dhe të Kartës së Adriatikut, ky shtet do të afrohej natyrshëm me të gjitha shtetet fqinje dhe ato të rajonit më të gjerë, pa pasur nevojë ta ndryshojë emrin kushtetues të shtetit, edentitetin kombëtar, gjuhën, kulturën dhe historinë e tij. 
Shqiptarët janë populli i vetëm fqinj me maqedonasit e sotëm që nuk kanë asgjë të përbashkët me sllavët, as prejardhjen etnike, as gjuhën dhe kulturën, as traditat dhe zakonet, që është një garanci e mirë për ruajtjen e identitetit të tyre dhe veçorive kombëtare, pa u rrezikuar nga asimilimi dhe zhdukja brenda këtij shteti shumetnik. Këta dy popuj fqinj kanë një traditë të mirë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndësjellë, që mund t’i kultivojnë edhe në të ardhmen, si dy popuj që rrrethanat historike i kanë detyruar të jetojnë në një shtet të përbashkët, duke i respektuar edhe të drejtat e bashkësive të tjera etnike në vend dhe pa ndikime të jashtme me tendenca hegjemoniste, sundimi dhe dominimi ndaj njëri-tjetrit. 

Shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton, jetonë në territor kompakt dhe përbëjnë shumicë të konsiderueshme të popullsisë në këtë shtet, prandaj opsionet për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni mbeten të hapura, me apo pa mbijetesën e Maqedonisë si shtet i pavarura, pa i dëmtuar pupujt tjerë fqinjë, por duke mos e rrezikuar ardhmërinë e vet.    

Abdullah Mehmeti

(12.VII.2017)