Banorët e lagjes Serovë të komunës së Çairit vazhdojnë të ankohen për mos heqjen e rërës në rrugët e kësaj lagjeje, e cila rrezikon bllokimin e kanalizimit.

Nga komuna e Çairit për Portalb.mk kohë më parë thanë që menjëherë do të reagojnë dhe do ta pastrojnë rërën nga rruga, por ja që një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Portalb.mk vizitoi këto rrugë për të cilat u ankuan banorët dhe pa se rëra ishte shpërndarë nëpër rrugë.

Banorët e komunës së Çairit thonë se rëra e cila është hedhur së bashku me kripën për të hequr borën nuk është pastruar nga rrugët dhe shprehin brengosje se mund të bllokon kanalizimin dhe më pas të kenë probleme të mëdha.

Ata për Poralb.mk thanë se falënderojnë komunën që u kujdes për pastrimin e borës, mirëpo tani duhet të pastrojnë edhe rërën që ka ngelur rrugëve.

“Shikoni si ka ngelur rëra, është shumë e trashe dhe po ra shi do e bart në kanalizim dhe më pas do të bllokohen kanalizimet dhe do të kemi probleme edhe më të mëdha gjatë reshjeve të shiut”, tha Bashkim I., banor.

“Ne gjithmonë kemi problem me kanalizimin shkaku që nuk kemi rrjet atmosferik në lagjen Serovë dhe bllokimi i kanalizimit do të na kushtonte shumë, andaj apelojmë deri të komuna që të reagoj sa më shpejtë”, tha Minire R., banore.

“Jemi mundu para shtëpive ne rruga jonë e kemi pastruar vetë duke e hedhur rërën e mbledhur në shportat e mbeturinave, por jo të gjithë e bëjnë këtë, komuna duhet të tregon më shumë kujdes për mirëmbajtjen e rrugëve dhe rrugicave të saja”, tha Imrane H., banore.

Lidhur me këtë çështje nga komuna e Çairit thonë se nuk kanë njohuri për këtë problem, por që do të reagojnë menjëherë.

Ai gjithashtu shtoi se banorët e kësaj komunë lirshëm mund të shprehin problemet dhe ankesat e tyre në ueb faqen e komunës, në të cilët ekziston një rubrikë për këtë çështje dhe autoritetet komunale do të përgjigjen dhe reagojnë.

Banorët gjithashtu u ankuan edhe në faqen e OJQ Duam Çair të Pastër, të cilët shprehen po ashtu pakënaqësitë ndaj mospastrimit të rrugëve.

Ndryshe në komunën e Çairit shpesh herë bllokohen rrugët nga reshjet e shiut, të cilat mbushin rrugët e lagjeve të kësaj komune, si rezultat i kanalizimit të vjetër si dhe mbingarkesës urbanistike.

Vite më parë në rrugën Xhon Kenedi po në këtë komunë u ndërtua rrjeti atmosferik, për të cilin investoi Qyteti i Shkupit, por që i njëjti është jashtë funksionit. /Portalb