Koment i redaksisë

Praktika tinzare e shpalljes së kandidaturave në çastin e fundit ka qenë metodë gjithë këto vite të “pluralizmit”. Kjo logjikë e veprimit shihet si shkaku i derrogimit dhe mbylljes hermetike të grupimeve të quajtura parti.
Qytetarët me të drejtë parashtrojnë pyetje, si do të qeverisin ata individë, që nuk kanë guxim të shpallin me kohë kandidaturat, të shpallin konceptin e tyre mbi planin qeverisës.
Qytetarët, ndjehen të dëshpëruar sidomos nga partitë e reja të cilat ngjajnë me ato të vjetrat. Logjika e vendimeve klanore e grupore ka qenë shkak i largimit nga partitë dhe politika, njerëzit që kanë dështuar me vepra se kanë ide dhe vizion. Prandaj partitë mbetën kompani tregtare të një grupi të ngushtë interesi.
Nisur nga ky dëshpërim, i shtresuar në dy dekada, qytetarët kanë filluar zëshëm të flasin për kandidatë mbipartiakë. Kandidatë të cilët gëzojnë mbështetje edhe përtej llogove të bëra në Photoshop. Qytetarët kërkojnë të bëhen pjesëmarrës aktiv në pushtetin lokal. Të japin ide dhe kontribut, e jo t’u merret vota me shantazhe ose me taktizime hileqare që mëpastaj të tremben nga autoriteti despotik komunal. Qytetarët duan, dhe do të ndërtojnë administratë që do i mbrojë ata nga çdo aventurë e çmendur kundër tyre, e veshut me interesa logosh pa përmbajtje!

© fol.mk