Emërimi i drejtorëve rrezikon të mbetet në shtator?

Me sa duket jo vetëm shkarkimi i prokurorit publik Marko Zvërlevski dhe Ligji për shqipen, por edhe emërimi i drejtorëve në institucionet shteëtrore dhe ndërmarrje rrezikon të mbetet për në shtator.

Partnerët e koalicionit, LSDM, BDI dhe ASH ende nuk kanë finalizuar bisedimet dhe ende nuk është arritur asnjë marrëveshje se cilët drejtori dhe ndërmarrjet publike do t’u takojnë. Se ende parterët e koalicionit qeveritarë nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për ndarjen e drejtorive dhe ndërmarrjeve, pas LSDMsë dhe BDI-së, këtë e konfirmojnë edhe nga LRPDSH.

Zëdhënësi i LR-PDSH-së Flakron Bexheti, thotë se emrat e drejtorëve të tyre që do të udhëheqin me drejtoritë dhe ndërmarrjet do t’i bëjnë publik sa po të përfundojnë me negociatat. “Jemi në fazën e fundit për ndarjen e resorëve me LSDMnë. Në parim i kemi afruar qëndrimet për një ndarje reale, duke marrë parasysh kontributin politik të Aleancës për Shqiptarët, respektivisht LR PDSH-së në gjithë këtë proces politik. Dikasteret do te bëhen publike sapo t’i përfundojmë negociatat”, thotë Flakron Bexheti, zëdhënës i LR-PDSH-së./Koha

SHPËRNDAJE